Qysh në vegjëli në parti.
Mos u habisni kur t’i shihni militantët partiakë gjithandej, në institucione, në administratë, në shkolla, madje edhe në hapësirat publike ku s’ka vend për politikë, sepse shoqëria jonë i përgatit, i ushqen dhe i trajnon ata qysh në vegjëli.
Deri sa jemi në fushatën e zgjedhjeve lokale, pak ditë më parë, duke vozitur, pash një grup fëmijësh të shkollës fillore, të mitur, të mbuluar kokë e këmbë me materiale propaganduese: kapele partiake, bluza me slogane elektorale, fllaera e materiale të tjera propagandistike nëpër duar, pa e pasur as idenë më të vogël se çfarë përfaqëson ajo parti, e aq më pak çfarë do të thotë vetë politika.
Aty më goditi e vërteta e hidhur e kësaj shoqërie, ne nuk edukojmë qytetarë, por militantë. Në vend që t’u mësojmë fëmijëve të mendojnë në mënyrë kritike, t’i kuptojnë proceset shoqërore, t’i analizojnë politikat publike dhe të kuptojnë përgjegjësinë qytetare, ne ua ngulim në kokë idenë se partia është gjithçka dhe politika është vetëm ajo që thotë “kryetari”.
Në Maqedoninë e Veriut, ky fenomen është bërë kulturë. Partizimi ka hyrë në çdo qelizë të jetës publike. Mësuesit e dinë se cila parti drejton komunën dhe kujt duhet t’i përkulen për të ruajtur vendin e punës, prindërit ua trashëgojnë fëmijëve “kë të votojnë”, ndërsa të rinjtë mësohen herët se më shumë vlen një kartë partie se sa një diplomë.
Kështu lind militantizmi, jo si bindje ideologjike, por si mekanizëm mbijetese. Në një shoqëri ku meritokracia është zëvendësuar nga lojaliteti partiak, ku karriera, pozitat dhe tenderët varen nga ngjyra politike, militantizmi nuk është më devijim por është sistem.
Ky sistem i mbyllur krijon breza të tërë qytetarësh të cilët nuk e shohin shtetin si të përbashkët, por si pronë të partisë që është në pushtet. Dhe kur partia bie, për militantin shembet bota.
Nëse një fëmijë mësohet qysh në vegjëli të veshë bluzën e partisë, nesër ai do të veshë çdo bluzë që i garanton privilegj. Ai nuk do të pyesë kurrë për vlera, për drejtësi apo për llogaridhënie. Ai do të mësojë se e rëndësishme nuk është të kesh qëndrim, por të jesh “me tanët”.
Një veprim që përsëritet brez pas brezi, bëhet traditë. E një traditë e tillë, e ushqyer nga frika, varësia dhe servilizmi, është shumë e vështirë për t’u çrrënjosur.
Fëmijët dhe të rinjtë që ende nuk kanë të drejtë vote duhet të mbahen sa më larg ndikimit partiak dhe kjo përgjegjësi nis që në shtëpi. Kur i veshim me bluza, kapele apo simbole propagandistike, ne nuk po i edukojmë, por po i ngarkojmë me diçka që nuk e kuptojnë. Ata nuk dinë çfarë përfaqëson partia, e aq më pak çfarë është politika në thelb. Kështu, në vend që t’u mësojmë vlerat e qytetarisë dhe të mendimit të lirë, ne u mësojmë nënvetëdijshëm se përkatësia partiake është më e rëndësishme se mendimi kritik.
Nëse duam të kemi qytetarë të lirë, duhet ta çlirojmë politikën nga partia dhe edukimin nga militantizmi. Përndryshe, çdo brez i ri do të rritet me të njëjtin model të gabuar që politika është vetëm garë për pushtet dhe për t’i shërbyer interesave të ngushta të një grupi të caktuar, e jo për ndryshim.
Dhe kështu, historia jonë do të mbetet një rrotë që s’pushon kurrë së rrotulluari në vend.
Editoriale të tjera nga autori mund të lexoni KËTU.