Çfarë trishtimi. Maqedonia e Ziut, kështu do ta quaj sot.
Vendi përjetoi një nga tragjeditë më të mëdha të historisë së saj, 59 vdiqën në lulen e rinisë dhe mbi 150 të tjerë mbetën të lënduar në zjarrin i cili shpërtheu në një diskotekë në Koçan.
Korrupsioni na vrau edhe një herë.
Sipas informatave zyrtare të autoriteteve, ky objekt paska punuar me një serrë parregullsish dhe shkeljesh ligjore, kështu duke vënë në rrezik jetën e këtyre të rinjve, të cilëve në këtë vend vetëm diskotekat ju kanë mbetur për argëtim, sepse vendi nuk është se po ju ofron edhe aq mundësi të tjera.
Ky rast rrëzoi edhe një herë në ujë të gjithë fjalët boshe dhe “progresin” e arritur në luftën kundër korrupsionit.
Korrupsioni këtu te ne nuk është vetëm fjalë, është një mjet që na vret të ardhmen, ndërsa heshtja jonë është bashkëfajtore në këtë masakër të heshtur, e cila shpërthen kohë pas kohe, dhe ne vetëm atëherë ‘habitemi’
Ndërsa flakët shuan jetët, ato po shuajnë edhe shpresën që kemi për të ardhmen.
Fatkeqësitë e tilla të dritë në fund të tunelit që e kanë është solidariteti midis etnive që jetojnë në këtë vend, sikur të gjithë jemi një, të gjithë dalin në ndihmë pa marrë parasysh kush çka është. E pse nuk mund të jemi të tillë gjithnjë?
Nëse nuk reagojmë as për këtë rast, ashtu siç kemi qëndruar indiferentë ndaj shumë rasteve tjera, po i përmend: zjarri në spitalin modular në Tetovë, aksidenti i Besa Trans, aksidenti në Llaskarcë e shumë e shumë të tjera, të mos habitemi kur nesër të na goditë edhe ndonjë fatkeqësi tjetër më e madhe.
Sidoqoftë, jemi popull që harrojmë shpejtë. Edhe ky rast, do të jehojë këto ditë dhe do të ngelë në harresë. Me siguri do të kemi procedura gjyqësore të cilat do të zvarriten me vite, dhe përgjegjësia dhe drejtësia do të humbasin përsëri rrugën, e kemi parë tashmë, shumë herë.
Po sikur të mos heshtnim? Po sikur ta kthenim këtë dhimbje në forcë dhe këtë revoltë në veprim? Nëse edhe ky nuk është momenti që zgjon ndërgjegjen tonë, atëherë kur?
Editoriale të tjera nga autori mund të lexoni KËTU.