Kongresi i BDI, u zgjodhën anëtarë të rinj në Kryesinë Qendrore

Në Kryesinë e ngushtë të BDI-së për nënkryetarë të partisë janë zgjedhur Bujar Osmani, Faton Ahmeti, Arta Bilalli-Zendeli, Arbana Pasholli, Erkan Arifi. Arbër Ademi është zgjedhur sekretar i Përgjithshëm, Nebi Rexhepi, sekretar Organizativ, ndërsa Arbëresha Vlashi, sekretare për mundësi të barabarta. BDI e ndryshoi gjysmën e kryesisë në Kongresin e sotëm partiak, njofton Portalb.mk.

Në kongresin e sotëm të partisë Arbër Ademi dhe Faton Ahmeti ndërruan rolet. Ademi nga nënkryetar u bë sekretar i përgjithshëm, ndërsa Faton Ahmeti nga sekretar i përgjithshëm në nënkryetar. Bujar Osmani dhe Arbana Pasholli mbeten nënkryetarë të BDI-së, ndërsa listës së nënkryetarëve iu shtuan edhe Erkan Arifi dhe Arta Bilalli Zendeli.

Nebi Rexhepi zëvendëson Blerim Bexhetin, si sekretar organizativ.

BDI e ndryshoi gjysmën e kryesisë në Kongresin e sotëm partiak.

Kryesia qendrore sipas gazetës Koha: Admir Miftari, Ajshe Osmani, Albert Tairi, Ardita Dani, Artan Bushi, Bajram Rexhepi, Besnik Rameti, Ejup Abazi, Faton Aliti, Gent Lika, Ilir Hasani, Imran Zhupani, Isamedin Azizi, Jetmir Ziberi, Jeton Shaqiri, Liridona Beqiri, Lulzime Ballazhi, Mirsad Ibrahimi, Muharem Xhezairi, Nafi Durmishi, Ridvan Ibrahimi, Rina Ajdari, Shkodrane Dardhishta, Xhemil Qamili, Ylldrita Seferi-Salihi.

Në kryesi nuk janë më anëtarët e deritanishëm Sadulla Duraku, Talat Xhaferi, Blerim Bexheti, Fatmir Dehari, Nazim Bushi, Resi Adurrahmani, Shaban Memeti, Ejup Rustemi, Musa Xhaferi, Xhevat Ademi, Ejup Alimi.

Ahmeti në fjalimin e tij theksin nuk e vendosi te reformat në parti, por ato që duhet të ndodhin në institucionet kryesore të shtetit në mënyrë që të garantohet përfaqësimi i drejtë, barazia funksionale dhe kohezioni shoqëror, në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

 “Zgjedhja e Qeverisë të bëhet me shumicë Badenteri”, Ahmeti në Kongresin partiak i prezantoi rezolutat strategjike

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në Kongresin e 5-të të partisë propozoi që çdo zgjedhje e përbërjes së re të Qeverisë të bëhet me shumicë të dyfishtë Badenteri.

Ahmeti ka theksuar rëndësinë e unitetit të shtetit dhe të funksionimit të drejtë të institucioneve në Maqedoninë e Veriut. Ai ka nënvizuar se BDI-ja është e përkushtuar ndaj legjitimitetit të dyfishtë, përfaqësimit të barabartë të komuniteteve dhe thellimit të decentralizimit lokal.

“E para, Zgjedhja e Qeverisë me shumicë të dyfishtë (Badenteri Ekzekutiv). Propozojmë që çdo përbërje e re e Qeverisë të marrë besimin e Kuvendit jo vetëm me shumicën e deputetëve, por edhe me shumicën e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë. E dyta, ⁠ ⁠Zbatimi i Parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese. Ligjet që miratohen me shumicë të dyfishtë në Kuvend (në bazë të parimit të Badenterit), nuk duhet të rrëzohen në Gjykatën Kushtetuese pa shumicë të dyfishtë edhe në radhët e gjykatësve. Propozojmë ndryshime që do të mundësojnë që vendimet që prekin të drejtat e komuniteteve jo-shumicë të mos merren pa konsensus të ndërsjellë brenda Gjykatës. E treta,⁠ ⁠Thellimi i Decentralizimit dhe Vetëqeverisjes Lokale. Propozojmë një fazë të re të decentralizimit funksional dhe fiskal, me transferim të mëtejshëm të kompetencave në fushat e arsimit, shëndetësisë, zhvillimit lokal dhe administrimit të pasurive publike”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti kërkoi veting të plotë dhe hetim gjithëpërfshirës për funksionarët publikë të 34 viteve të fundit, si dhe mbështeti masa për luftën kundër korrupsionit dhe oligarkisë.

Ai prezantoi edhe konceptin e “Marrëveshjes Kombëtare për Përparim”, një vizion për zhvillim ekonomik konkurrues, transformim digjital, administratë efikase, energji të qëndrueshme, arsimin cilësor dhe pjesëmarrjen aktive të rinisë, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët.

Ahmeti rikujtoi përkushtimin e BDI-së ndaj integrimit europian, duke theksuar se procesi nuk është vetëm teknik, por garanton stabilitet, siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm për vendin.

“BDI respekton dhe mbështet identitetin kombëtar maqedonas në procesin e integrimit europian, duke vlerësuar se vetem një shtet i konsoliduar dhe integruar në BE mund të ruaj dhe kultivojë identitetet kombëtare të popujve këtu. BDI ka qenë dhe do të mbetet garant i kursit evropian të vendit. Ne kemi marrë vendime të vështira, por të drejta, gjithmonë duke pasur parasysh interesin afatgjatë të shtetit dhe të qytetarëve. Ne kemi dëshmuar se dimë të udhëheqim me përgjegjësi, me maturi politike dhe me vizion strategjik”, tha Ahmeti.

Ai përfundoi me thirrje për pjesëmarrje aktive të të rinjve, grave dhe diasporës në procesin shtetformues, duke nënvizuar se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut ndërtohet mbi barazi, përgjegjësi dhe unitet.

Pas mbledhjes së Këshillit të BDI-së që u mbajt muajin e kaluar, partia njoftoi se Kongresi do të jetë një moment i rëndësishëm për përcaktimin e drejtimit të mëtejmë politik, organizativ dhe programor.

“Kongresi përfaqëson një proces kyç për vizionin politik, forcimin e mekanizmave demokratikë brendapartiakë dhe përgatitjen e strukturave për sfidat e reja”, thuhet në njoftimin e BDI-së.

Ali AhmetiBashkimi Demokratik për Integrim (BDI)