Ministri aktual dhe i kaluar i punëve të jashtme kanë pikëpamje të ndryshme rreth së ardhmes së modelit multietnik në Maqedoninë e Veriut dhe ruajtjes së karakterit unitar të shtetit, raporton Portalb.mk.
Ministri për punë të jashtme, Timço Mucunski, dhe i kaluari, Bujar Osmani, kanë hyrë në një polemikë publike rreth Marrëveshjes së Ohrit.
Mucunski në një intervistë me Kanal 5, e akuzoi Osmanin se gjatë kandidaturës së tij për kryetar të Cairit “po bën narrativa të rrezikshme për shkeljen e karakterit unitar të shtetit”, të cilat, sipas tij, janë “të dëmshme edhe për stabilitetin rajonal”. Mucunski njoftoi se do të merren masa proaktive për të parandaluar narrativa të tilla, duke vënë në dukje:
“Ai foli për të ashtuquajturën autonomi në vendimmarrje, praktikisht hapi tema për krijimin e një shteti brenda një shteti… Duhet t’i bëhet e qartë se askush nuk do ta shkelë karakterin unitar. Ky shtet nuk ka qenë dhe nuk do të jetë as federatë apo konfederatë. Thirrje të tilla janë një narrativë e rrezikshme”, deklaroi Mucunski.
Osmani iu përgjigj këtyre akuzave në profilin e tij në Facebook duke thënë se “principet dhe parimet e Marrëveshjes së Paqes së Ohrit pasqyrojnë modelin modern të bashkëjetesës dhe unitaritetit funksional”, duke theksuar se shteti mbetet unitar, por me mekanizma të qartë për mbrojtjen e të drejtave kolektive të komuniteteve.
“Vlerësimi i vërtetë i këtij mekanizmi nuk kërcënon, por përkundrazi forcon kohezionin e brendshëm si indin lidhës themelor të shtetit unitar”, dhe se kushdo që sfidon këtë model “godet drejtpërdrejt themelet e shtetësisë moderne dhe interesat e të gjithë qytetarëve”, deklaroi Osmani.
Sipas tij, zgjidhja është në respektimin e shpirtit dhe mekanizmit të Marrëveshjes së Ohrit, siç janë përfaqësimi i drejtë, decentralizimi dhe mbështetja për të drejtat kolektive.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, neglizhente ndaj gjuhës shqipe ishte edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit. Në shikim të parë në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figuronin aspak e në disa raste nuk ishin të kompletuara ose nuk ishin të plotësuara dhe të përditësuara.