Kanë kaluar gati dy javë nga tragjedia e Koçanit dhe Kuvendi ende po i shtyn seancat e tij, përfshirë edhe seancën për pyetje deputetësh. Është e papranueshme dhe e papërgjegjshme që deputetët të mos mbajnë seanca gjatë një tragjedie të tillë kur qytetarët presin përgjigje, kur duhet të analizohet sistemi dhe të merren vesh hapat e ardhshëm që mund të ndërmerren nga Kuvendi në kuadër të kompetencave të tij, thonë nga Komiteti i Helsinkit, transmeton Portalb.mk.
Nga ky Komitet rikujtonë se funksioni legjislativ i Kuvendit është vetëm një nga funksionet themelore kushtetuese që ka. Kuvendi ka funksion përfaqësues dhe mbikëqyrës, dhe pyetjet e deputetëve janë një nga format themelore të mbikëqyrjes mbi punën e Qeverisë dhe të bartësve të tjerë publik.
“Kuvendi ka mekanizma përmes të cilëve mund të veprojë, si p.sh. themelimi i trupave punues të përhershëm dhe të përkohshëm për çdo çështje me interes publik. Në rastin konkret, sipas nenit 76 të Kushtetutës, Kuvendi mund të krijojë një komision hetimor për të gjitha fushat dhe për çdo çështje me interes publik dhe gjetjet e tij mund të jenë bazë për vendosjen e përgjegjësisë për bartësit e funksioneve publike. Prandaj, është e pakuptueshme që Kuvendi, duke i pasur këto mekanizma në dispozicion, në vend që t’i përdorë, vendosi të mos mbajë seanca. Është logjike të shtrohet pyetja se cila është nevoja e ekzistencës së organit më të lartë përfaqësues të qytetarëve, kur të zgjedhurit e popullit që e përbëjnë atë, vendosën të heshtin para qytetarëve të zgjedhurit e popullit në momentet kur ata kanë më shumë nevojë për ta”, thonë na Komiteti.
Nëse asgjë tjetër, caktimi i një seance për pyetje deputetësh do të kishte hapur hapësirën për një debat më thelbësor dhe do të kishte shkuar disi në artikulimin e drejtimeve në të cilat gjërat duhet të ecin përpara. Në të njëjtën kohë, seanca do t’u kishte dhënë mundësi deputetëve dhe Kuvendit të shprehin publikisht ngushëllimet e tyre për familjet e viktimave dhe keqardhjen për tragjedinë e tmerrshme, shton komiteti.
“Qytetarët presin që pas tragjedisë që ndodhi në Koçan, i gjithë sistemi, duke përfshirë edhe të zgjedhurit e tyre, të kontribuojë në luftën kundër korrupsionit dhe korrigjimin e parregullsive dhe ndarjeve të mëdha në shoqëri dhe të jetë efikas dhe pa kompromis. Presim që Kuvendi të konsolidojë dhe të përdorë të gjithë mekanizmat që ka në dispozicion dhe deputetët të bashkohen në përpjekjet për rritjen e funksionalitetit të sistemit dhe kundër devijimeve sociale. Qytetarët kërkojnë nga të zgjedhurit e tyre, si dhe nga bartësit e tjerë të funksioneve publike, që sistemi të funksionojë pa privilegje për askënd dhe ligjet të zbatohen për të gjithë njëlloj”, thuhet në reagimin e Komitetit të Helsinkit.
Kujtojmë se që nga tragjedia e Koçanit, Kuvendi ka hyrë në pauzën dyjavore të aktiviteteve të deputetëve.
Pyetjet e dyfishta të deputetëve e shtynë edhe një javë punën e Kuvendit, pasi kryeparlamentari Afrim Gashi, nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve parlamentare u pajtuan që më mirë të mos punohet se sa të ngrihen më tej tensioni dhe të ulet rejtingu i Kuvendit pas tragjedisë së Koçanit ku humbën jetën 59 të rinj në diskotekën Pulse. Kuvendi ndërpreu punën javën e kaluar kur u shpallën shtatë ditë zie. Sipas marrëveshjes, thonin burime të Sloboden Peçat, deputetët do të paraqiten në punë javën e ardhshme.
Për këtë neglizhencë, iniciativa e qytetarëve “Kush e ka radhën” për të shtunën, 29 mars, në ora 11 paralajmëroi tubim të ri protestues, kësaj here para Kuvendit. Në paralajmërimin për tubimin i publikuar në rrjetet sociale, nga Iniciativa theksojnë – “Kur ata shkojnë në pushim, vijmë në para Kuvendit”.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.