Komisioni Disiplinor për Përgjegjësinë e Prokurorëve Publikë, i cili më herët i kishte shqiptuar masë disiplinore prokurorit Jove Cvetanovski, ia shfuqizoi atë në një mbledhje urgjente, para përfundimit të pushimit veror, duke i hapur rrugën kandidaturës së tij për Prokuror Publik për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në vend të Islam Abazit, të cilit i përfundon mandati, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.
Ndërkohë, Cvetanovski, në cilësinë e prokurorit të lartë, kishte dhënë mendim që të vazhdonte hetimi i ndërprerë për mazutin në TEC Negotinë, në të cilin Prokuroria për Krim të Organizuar nuk kishte konstatuar dëm ndaj buxhetit të shtetit, ashtu siç kërkonin kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe VMRO-DPMNE-ja në konferencat e përditshme për media.
Një prokuror ndaj të cilit është shqiptuar masë disiplinore nuk mund të kandidojë në konkurs për një funksion, përkatësisht për avancim. Pas shfuqizimit të masës, Cvetanovski ka kandiduar, por ndaj tij mbetet aktakuza në Gjykatën Themelore në Shtip, e cila prej një viti nuk mund të shqyrtohet.
Komisioni Disiplinor, për ndryshimin e qëndrimit lidhur me masën e shqiptuar më herët ndaj Cvetanovskit, iu referua Këshillit të Prokurorëve Publikë. Ndërkaq, kryetari i Këshillit, Bashkim Besimi, është i paarritshëm dhe nuk përgjigjet në telefonin zyrtar për të dhënë më shumë informacione rreth udhëzimeve të dhëna.
“Komisioni për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore të prokurorit publik gjatë ushtrimit të funksionit të prokurorit publik, bazuar në udhëzimet e marra nga Këshilli i Prokurorëve Publikë në procedurën e ankesës dhe duke marrë parasysh provat, me shumicë votash mori vendim me të cilin nuk konstatoi përgjegjësi disiplinore të prokurorit publik ndaj të cilit zhvillohej procedura”, u përgjigjën nga Komisioni Disiplinor.
Në pyetjen shtesë nëse Prokurori i Shtetit, Nenad Saveski, do ta ankimojë këtë vendim, nga kabineti i tij morëm këtë përgjigje:
“Vendimi i është dorëzuar Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ai nuk do të paraqesë ankesë, duke pasur parasysh argumentimin e paraqitur në arsyetimin e vendimit.”
Komisioni Disiplinor iu referua udhëzimeve të Këshillit të Prokurorëve Publikë, ndërsa Saveski argumentimit dhe arsyetimit të vendimit të Komisionit Disiplinor, të cilat e kanë “çarmatosur” në rastin e kolegut të akuzuar Cvetanovski, i cili dëshiron të bëhet Prokuror Publik në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Cvetanovski ka aplikuar në konkurs, i cili përfundon të hënën.
Ne iu drejtuam Gjykatës së Apelit në Shtip me pyetjen se përse prej një viti nuk mund të shqyrtohet aktakuza ndaj Jove Cvetanovskit dhe aktakuza ndaj Mustafa Hajrullahit, të cilat janë pjesë e së njëjtës lëndë.
“Një herë kishte arritur një ankesë në Gjykatën e Apelit në Shtip, pasi gjyqtarja nga Gjykata Themelore në Shtip kishte refuzuar që të veçoheshin, përkatësisht të hiqeshin provat nga aktakuza. Ne e shfuqizuam vendimin e saj. Lënda u kthye sërish te e njëjta gjyqtare dhe ajo mori të njëjtin vendim. Përsëri arriti një ankesë në Apelin e Shtipit nga njëri prej të akuzuarve, më 20 gusht. Ne menjëherë ia dërguam lëndën për mendim Prokurorisë së Lartë Publike në Shtip dhe ja, tashmë 15 ditë nuk kemi marrë përgjigje. Sapo të arrijë mendimi, menjëherë do të vendosim dhe aktakuza do të mund të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Themelore në Shtip”, deklaroi kryetari i Apelit të Shtipit, Toni Delev.
Më 9 shtator të vitit të kaluar ishte ngritur aktakuza ndaj Hajrullahit dhe ishte paraqitur propozimaktakuzë ndaj Cvetanovskit. Pas përfundimit të plotë të procedurës hetimore dhe sigurimit të provave, Prokuroria Themelore Publike në Shtip ngriti aktakuzë ndaj Hajrullahit për pesë vepra penale – keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës nga neni 143, si dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar nga neni 353, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Gjatë zhvillimit të procedurës hetimore, prokurori publik siguroi prova edhe lidhur me veprimet zyrtare të Hajrullahit dhe Cvetanovskit, ndaj të cilëve paraqiti edhe propozimakuzë, duke i ngarkuar se si bashkëkryerës kanë kryer veprën e vazhduar penale keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar nga neni 353, paragrafi 1 i Kodit Penal.
“Personat e akuzuar, gjatë periudhës nga janari i vitit 2023 deri në gusht të vitit 2024, në Prokurorinë e Lartë Publike në Shkup, së bashku dhe në kundërshtim me Rregulloren për punën e brendshme të prokurorive publike, lëndët e pranuara, të cilat pas hapjes u dorëzoheshin nga nëpunësi i autorizuar i prokurorisë për pranimin e tyre, i akuzuari i parë, Hajrullahi, i mbante dhe kërkonte që të mos regjistroheshin në të njëjtën ditë ose sipas radhës, por të regjistroheshin disa ditë më vonë dhe me datë tjetër nga ajo e pranimit. Në të njëjtën kohë, ai kërkonte nga nëpunësit që këto lëndë, drejtpërdrejt ‘pa shumë zhurmë’, t’i caktonin të akuzuarit të dytë, Cvetanovski”, thuhet në propozimakuzë.
Në aktakuzë thuhet se, gjatë veprimit në këto lëndë, të akuzuarit nuk e kanë kryer detyrën e tyre zyrtare në përputhje me nenin 7 të Ligjit për Prokurorinë Publike, përkatësisht funksionin e prokurorit publik e kanë ushtruar në mënyrë të paligjshme, të njëanshme dhe subjektive, duke mos respektuar dhe pa mbrojtur liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit, si dhe të drejtat e subjekteve të tjera juridike, jashtë kornizës së kompetencave të tyre, me qëllim që t’i mundësonin një personi tjetër të përfitonte dobi pasurore, duke i shkelur rëndë të drejtat e palëve në disa procedura.