Kodi Penal në RMV do të ndryshohet me procedurë të shpejtë, por dënimet e larta nuk do të rikthehen

Derisa pritet miratimi “historik” i Kodit të ri të plotë Penal, i cili duhet t’i rikthejë dënimet e larta për funksionarët, deputetët e shumicës qeveritare propozojnë ndryshime të reja të përshpejtuara në Kodin Penal aktual. Në to nuk parashikohen korrigjime të nenit famëkeq 353, e as të neneve që parashikojnë dënime më të larta për funksionarët, por propozohen ndryshime në pjesën që ka të bëjë me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, shkruan Slloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.

Propozues të ndryshimeve, të cilat duhet të miratohen me procedurë të shkurtuar, janë deputetët e VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, Lupço Prenxhov dhe Bojan Stojanovski, deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, si dhe deputetja Vesna Bendevska nga ZNAM.

Deputeti Milloshoski, në një deklaratë për “Slloboden Peçat”, thotë se ndryshimet e propozuara nuk kanë asnjë prapavijë, se ato i ka prezantuar në një koordinim me grupet parlamentare në Kuvend dhe se nevoja për to është paraqitur pas vërejtjeve të Manivalit, organ ekspert i Këshillit të Evropës, i cili vlerëson përputhshmërinë e shteteve me standardet ndërkombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në raportin e vitit 2023, Manivali kishte konstatuar se legjislacioni i Maqedonisë i përmbush vetëm pjesërisht ose në masë të madhe rekomandimet e FATF-së (Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar), i cili përcakton standardet globale për parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.

“Qëllimi i miratimit të këtij ligji është mënjanimi i dobësive në dispozitat ekzistuese dhe veprimi në përputhje me Raportin e vlerësimit të sistemit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, të miratuar nga Komiteti Manival në vitin 2023, me qëllim harmonizimin me rekomandimet e FATF-së. Propozim-ligji bazohet në të njëjtat parime mbi të cilat bazohet Kodi Penal. Zbatimi i këtij ligji nuk ka implikime financiare dhe për miratimin e tij nuk nevojiten mjete shtesë financiare nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për më tepër, pritet rritje e të hyrave në Buxhet përmes zbatimit të institutit juridiko-penal të konfiskimit.

Sigurimi i një shkalle më të lartë të harmonizimit me rekomandimet e FATF-së ndikon pozitivisht në procesin e integrimit evropian, si dhe në sigurimin e vazhdueshëm të kushteve për pjesëmarrjen e sistemit financiar të vendit tonë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro – SEPA”, thuhet në arsyetimin e ndryshimeve të propozuara.

Rekomandimi ishte që këto ndryshime të miratoheshin në mesin e nëntorit, ndërsa duke pasur parasysh se parashikohet që Kodi i ri i plotë Penal të miratohet vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2027, deputetët kanë vlerësuar se këto ndryshime duhet të miratohen më shpejt.

Milloshoski thotë se për ndryshimet e propozuara janë njoftuar Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Policia Financiare. Nga Ministria e Drejtësisë, ndërkaq, thonë se janë të përqendruar te Kodi i ri Penal.

“Kodi Penal është në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe po përmbyllet harmonizimi i tij me standardet dhe direktivat më të fundit evropiane, pas së cilës do t’i dërgohet Komisionit Evropian për mendim”, u përgjigjën shkurt nga Ministria.

Edhe pse pushteti i ri, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, tashmë prej dy vitesh premton se do t’i korrigjojë ndryshimet skandaloze të miratuara nga rivalët e tyre politikë, LSDM-ja dhe BDI-ja, Kodi i ri prej vitesh mbetet vetëm në paralajmërime. Ndërkohë, u miratuan ndryshime të shpejta, të cilat pushteti i paraqiti si rikthim të dënimeve për funksionarët. Megjithatë, nenet e ndryshuara jo vetëm që nuk i rikthyen dënimet e larta për funksionarët, pas dëmit të madh të shkaktuar nga ndryshimet kontroverse në Kodin Penal, por ekspertët i interpretuan këto ndryshime edhe si më të këqija.

Kodi PenalParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut