Faza akute e epidemisë në Gostivar është drejt qetësimit, deklaroi në konferencën e sotme për media ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. Numri i rasteve të reja të raportuara nga epidemia në Gostivar është 109 dhe, sipas tij, në një moment do të duhet të bëhet dallimi mes rasteve që i përkasin gjendjes së zakonshme dhe atyre që lidhen me epideminë, transmeton Portalb.mk.
Ai u bëri thirrje mjekëve amë dhe institucioneve shëndetësore që fokusin ta vendosin në fazën pas akute, përkatësisht të monitorojnë paraqitjen e mundshme të hepatitit A dhe E, por edhe të sëmundjeve të tjera ngjitëse që mund të shfaqen “në bisht” të epidemisë në Gostivar.
“Në lidhje me këtë mbikëqyrje të shtuar shëndetësore do të dërgohen udhëzime përkatëse në Qendrën për Shëndet Publik, në institucionet shëndetësore dhe te mjekët amë, ndërsa do të jepen edhe udhëzime për komunikimin me popullatën. Është thelbësore që rastet të zbulohen herët në mënyrë që të mund të reagojmë në kohë, ndërsa institucionet shëndetësore tashmë janë të përgatitura për sa i përket kapaciteteve të testimit dhe trajtimit”, tha Klekovski.
Paralelisht, siç bëri të ditur ministri, do të analizohet legjislacioni që rregullon raportimin e sëmundjeve ngjitëse, si dhe të dhënat arkivore me diagnozat përkatëse nga sistemi “Termini Im”, për të vlerësuar rrjedhën e ngjarjeve dhe mënyrën se si ka reaguar sistemi në Gostivar. Ai theksoi se ekzistojnë standarde që përcaktojnë numrin e pacientëve mbi bazën e të cilit shpallet epidemi.
“Standardi për muajin korrik në Gostivar është 25 raste të raportuara në raportin për sëmundjet ngjitëse. Të premten, më 17 korrik, mendoj se ishin paraqitur 19 raste. Në atë moment, sipas standardeve ligjore, nuk ekzistonin kushtet për shpalljen e epidemisë. Tani do t’i marrim parasysh edhe të gjitha diagnozat e ngjashme nga ‘Termini Im’ dhe, nëse rezulton se ka pasur bazë për të reaguar, të gjithë, përfshirë edhe mua, do të mbajmë përgjegjësi. Qëllimi është të mësojmë nga ajo që ka ndodhur, jo vetëm të përcaktojmë se kush është fajtor, por të bëjmë diçka që kjo të mos përsëritet”, deklaroi Klekovski.
Ndryshe, në Gostivar u shpall epidemi të problemeve gastrointestinale, pas paraqitjes së numrit të lartë të i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim.
Kujtojmë se me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.
Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve. Më pas, uji u ndalua për pirje.
Prokuroria Publike më 20 korrik shpalli rezultatet e analizave, të cilat treguan se në ujë kishte pasur 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.
- LEXO: Pavarësisht rënies së rasteve, në Gostivar vazhdojnë të paraqiten rreth 130 pacientë në ditë me enterokolit
- LEXO: Gjykata shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre udhëheqësit e Komunalecit për ndotjen e ujit në Gostivar
- LEXO: Mbetet në fuqi ndalimi i përdorimit të ujit në Gostivar, institucionet kërkuan përgjegjësi ndërsa hetimet vazhdojnë