Shtetasit e Kinës, Rusisë dhe Turqisë hyjnë në vendet e Ballkanit Perëndimor pa viza dhe më pas përpiqen të vazhdojnë udhëtimin drejt Bashkimit Evropian, paralajmëron Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare, Frontex, në vlerësimin e fundit të rrezikut, raporton Radio Evropa e Lirë.
Brukseli, në të njëjtën kohë, u kërkon vendeve të rajonit të ashpërsojnë politikat e vizave dhe të mbyllin hapësirat që mundësojnë keqpërdorime të tilla.
Policia Kufitare e Bosnje dhe Hercegovinës konfirmon për Radion Evropa e Lirë se merr rregullisht informacione nga Frontex-i për migrimin e paligjshëm, kontrabandën e njerëzve dhe keqpërdorimin e mundshëm të regjimit pa viza.
Ajo thotë se është në dijeni edhe për përpjekjet e shtetasve të huaj për të vazhduar në mënyrë të paligjshme udhëtimin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
“Këto informacione nuk kanë të bëjnë vetëm me shtetasit e Federatës Ruse, Republikës Popullore të Kinës dhe Turqisë, por edhe me shtetas të vendeve të tjera”, thekson Policia Kufitare e Bosnje dhe Hercegovinës, duke shtuar se ajo bashkëpunon vazhdimisht me Frontex-in dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
Viteve të fundit, shumë shtetas kinezë kanë mbërritur në Ballkan me avion dhe më pas janë përpjekur të vazhdojnë rrugën drejt BE-së.
Disa shtetas rusë, përfshirë edhe çeçenë, e kanë shfrytëzuar Ballkanin si rrugë transiti ose si strehim të përkohshëm, pas fillimit të luftës në Ukrainë, më 2022.
Frontex: Keqpërdorimet do të vazhdojnë
Në vlerësimin vjetor të rrezikut për periudhën 2026-2027, të publikuar në qershor, Frontex paralajmëron se lëvizjet migratore në Ballkanin Perëndimor do të vazhdojnë të pasqyrojnë zhvillimet në rrugën e Mesdheut Lindor.
Sipas agjencisë, shtetas të disa vendeve do të vazhdojnë të shfrytëzojnë regjimin pa viza në vendet e rajonit për të tentuar më pas hyrjen në Bashkimin Evropian.
Frontex veçon në këtë kategori shtetasit e Kinës, Rusisë dhe Turqisë, si dhe “poseduesit e pasaportave jordaneze me origjinë palestineze”.
Sipas agjencisë, presioni migrator mund të zbutet nga aksionet policore, faktorët sezonalë dhe efekti parandalues i dhunës dhe rrëmbimeve të kryera nga rrjetet e kontrabandës së njerëzve.
Megjithatë, ajo paralajmëron se keqpërdorimi i regjimit pa viza do të vazhdojë.
Në të njëjtin raport thuhet se politikat e pavendosura në mënyrë të harmonizuar për vizat në vendet e Ballkanit Perëndimor, vazhdojnë ta lehtësojnë përdorimin e fluturimeve drejt rajonit si pikënisje për hyrje të parregullt në Bashkimin Evropian.
Frontex shton se korridori i Ballkanit Perëndimor, që kalon përmes Serbisë, Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kroacisë drejt Sllovenisë dhe Austrisë, do të mbetet rruga kryesore për migrantët që vijnë nga rruga e Mesdheut Lindor.
Agjencia nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment lidhur me paralajmërimet për keqpërdorimin e mundshëm të regjimit pa viza në Ballkanin Perëndimor.
Komisioni Evropian prej vitesh kërkon harmonizimin e politikave të vizave
Komisioni Evropian u bën vazhdimisht thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i harmonizojnë politikat e tyre të vizave me rregullat e Bashkimit Evropian, me qëllim uljen e rrezikut të migrimit të parregullt dhe keqpërdorimit të regjimit pa viza.
Kjo çështje përmendet rregullisht në raportet vjetore të progresit të Komisionit Evropian, si dhe në raportet për Mekanizmin e Pezullimit të Vizave, i cili monitoron nëse vendet që gëzojnë regjim pa viza me BE-në, vazhdojnë t’i përmbushin kushtet për ta ruajtur atë.
Nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë thonë për Radion Evropa e Lirë se nga ky vend, si kandidat për anëtarësim në BE, pritet harmonizim i mëtejshëm i politikës së vizave me listën e vendeve të treta, shtetasit e të cilave kanë nevojë për vizë për të hyrë në Bashkimin Evropian, veçanërisht kur bëhet fjalë për shtete që paraqesin rrezik migrimi ose të sigurisë.
Ata rikujtojnë se Bosnje dhe Hercegovina, përmes Agjendës së Reformave, është zotuar që në periudhën 2025-2027 të shfuqizojë çdo vit nga një marrëveshje për regjim pa viza me një vend, shtetasit e të cilit kanë nevojë për vizë për të hyrë në BE.