Kërkohet nga Izraeli lirimi i Albulenës, ishte e përfshirë në flotën Sumud

Një shqiptare është marrë peng nga shteti i Izraelit. Ajo ishte e përfshirë në aksionin e flotës Sumud, që ka për qëllim hapjen e korridorit humanitar për në Gaza, transmeton Portalb.mk.

“Ndër aktivistët/et nga 40 vende të botës që kanë mësyrë të hapin korridor humanitar, është edhe Albulena Fazliu. Albulena është refugjate e luftës nga Kosova në Gjermani e cila tashmë është kidnapuar nga Izraeli”, njoftoi Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Ata theksojnë se Albulena së bashku me mbi 500 aktivistë janë marrë peng nga ushtria e Izraelit gjatë nismës së tyre për t’i dërguar ndihma popullit palestinez.

Kolektivi kërkoi nga shteti i Kosovës që të ndihmojnë në lirimin e Albulenës.

Ndërkohë Holanda ka kërkuar nga Izraeli që të garantojë sigurinë e pasagjerëve pas sulmit të anijes globale “Sumud”.

“U bëjmë thirrje autoriteteve izraelite të garantojnë sigurinë e pasagjerëve. Ministria e bëri tashmë këtë apel në kontaktet e saj me autoritetet izraelite”, tha ministri për punë të jashtme në Holandë, duke këshilluar të mos udhëtojnë në zonë lufte.

AnijeGazaIzraeliKosovaPalestina