Gjykata Penale pranoi propozimin e Prokurorisë, duke i shqiptuar paraburgim 8-ditor të dyshuarit për kërcënimin e kryeministrit Hristijan Mickoski. Paraprakisht Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë njoftoi ka nisur procedurë ndaj një 39-vjeçari nga fshati Çerkez, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale – Rrezikimi i sigurisë, nga neni 144, paragrafi 5 i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
I dyshuari, përmes mesazheve në rrjetet sociale, e ka ofenduar dhe kërcënuar kryeministrin e RMV-së.
Duke vlerësuar rrethanat e kryerjes së veprës, rrezikun e arratisjes, e veçanërisht faktin se i dyshuari rezulton të jetë autor i veprave të tjera penale nga fusha e kriminalitetit të dhunshëm – dhunë, fajde dhe një numër të madh kundërvajtjesh për prishjen e rendit dhe qetësisë publike, prokurori publik i dorëzoi gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit.
“Ndërkaq, bazuar në provat e siguruara lidhur me sjelljen e mëparshme të të dyshuarit, bëhet fjalë për një person konfliktual, i cili vazhdimisht përfshihet në debate, kërcënime dhe përleshje fizike me denoncuesit. Për këtë arsye, vlerësohet se ekziston rrezik real që këto shpërthime agresive të shndërrohen në vepra më të rënda penale me pasoja kërcënuese për jetën, me të cilat ai kërcënon”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Çka thuhet në nenin 144 të Kodit Penal për veprën “Rrezikim i sigurisë”?
(1) Ai që seriozisht e kërcënon një person tjetër se do të sulmojë jetën ose trupin e tij, ose jetën apo trupin e një personi të afërt me të, me qëllim që ta shqetësojë ose frikësojë, do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.
(2) Nëse me veprën nga paragrafi (1) i këtij neni shkaktohet ndjenjë pasigurie, rrezikimi ose frike te viktima, kryesi do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
(3) Ai që veprën nga paragrafi (1) i këtij neni e kryen gjatë ushtrimit të dhunës me bazë gjinore, dhunës ndaj gruas ose dhunës në familje, ose nga urrejtja, apo ndaj një personi që është veçanërisht i cenueshëm për shkak të moshës, pengesave të rënda fizike ose mendore apo shtatzënisë, do të dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet.
(4) Me dënimin nga paragrafi (3) i këtij neni do të dënohet edhe ai që veprën nga paragrafi (1) i këtij neni e kryen ndaj një personi zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës, avokati, mjeku ose punonjësi tjetër shëndetësor, gazetari ose punonjësi tjetër i medias, apo personi tjetër që kryen punë me interes publik gjatë ushtrimit të detyrave profesionale ose në lidhje me kryerjen e detyrave profesionale që i ndërmerr në kuadër të autorizimeve të tij, ose ndaj më shumë personave.
(5) Ai që publikisht, ose përmes një sistemi informatik, kërcënon se do të kryejë vepër penale për të cilën është paraparë dënim me burgim prej pesë vjetësh ose dënim më i rëndë ndaj një personi për shkak të përkatësisë së tij ndaj një race, ngjyrës së lëkurës, prejardhjes, përkatësisë kombëtare ose etnike… gjuhës, shtetësisë, prejardhjes sociale, arsimit, fesë ose bindjeve fetare, bindjeve politike, bindjeve të tjera, aftësisë së kufizuar, moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjendjes pasurore, gjendjes shëndetësore, karakteristikave personale dhe statusit shoqëror, ose çfarëdo baze tjetër të paraparë me ligj apo marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
(6) Ndjekja penale për veprën nga paragrafi (1) i këtij neni ndërmerret me padi private.