Disa institucione në Shqipëri kanë marrë në mëngjesin e së premtes mesazhe kërcënuese në adresat e tyre elektronike, ku pretendohet se në ambientet e tyre janë vendosur lëndë shpërthyese, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Policia e Shtetit bëri të ditur se, deri më tani, nuk është konstatuar asnjë rast i vendosjes së eksplozivëve.
Në emailin kërcënues, autori, i cili prezantohet si “udhëheqës i Milicisë Serbe”, pretendoi se kishte vendosur personalisht një mjet shpërthyes në një ndërtesë dhe paralajmëroi se ai do të shpërthente pas një ore.
“Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush. Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë”, thuhet në mesazhin që është publikuar online.
Policia njoftoi se, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për të identifikuar burimin nga i cili është dërguar emaili.
Raste të ngjashme janë regjistruar edhe më herët në Shqipëri, ku disa institucione shtetërore kanë marrë mesazhe kërcënuese për vendosjen e bombave, duke vënë në lëvizje strukturat e Policisë së Shtetit.
Në fund të gushtit, disa institucione në qytete të ndryshme të vendit morën një email nga një adresë e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste. Në mesazh pretendohej se në ambientet e tyre ishte vendosur bombë, por kontrollet e kryera nuk konstatuan praninë e eksplozivëve.
Ndërkohë, në mars të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë u bë objekt i një sulmi kibernetik, si pasojë e të cilit u fshinë një pjesë e të dhënave në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.
Në atë kohë, Kuvendi nuk bëri të ditur origjinën e sulmit. Megjithatë, grupi i hakerëve Homeland Justice mori përgjegjësinë përmes një postimi në Telegram, ku deklaroi se “nuk do t’i lëmë mbështetësit e terroristëve të MEK të flenë të qetë asnjë çast”.
MEK, ose Mojahedin-e-Khalq, i njohur gjithashtu si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit, është një grup opozitar iranian, i cili është strehuar në Shqipëri.
Shqipëria e ka akuzuar Teheranin se qëndron pas sulmit kibernetik ndaj institucioneve shtetërore në korrik të vitit 2022. Për këtë arsye, në shtator të po atij viti, Tirana ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Kryeministri Edi Rama urdhëroi diplomatët iranianë të largoheshin nga vendi brenda 24 orësh, ndërsa Teherani i mohoi akuzat.