Ministria amerikane e Mbrojtjes planifikon të ekzekutojë publikisht një dënim me vdekje në fillim të dhjetorit. Ekzekutimi me pushkatim i një atentatori të dënuar me vdekje pritet të transmetohet drejtpërdrejt në internet. Këtë e konfirmoi për agjencinë e lajmeve dpa një zyrtar i Pentagonit, transmeton Dojçe Vele (DW).
Më herët, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte deklaruar se ekzekutimi i një ish-psikiatri të Ushtrisë amerikane, i miratuar nga presidenti Donald Trump, duhet të zhvillohet publikisht. Në një intervistë me një influencer të krahut të djathtë, ai tha se dënimi do të kryhet nga një skuadër pushkatimi dhe se do të sigurohet mundësia që njerëzit ta ndjekin atë.
Ekzekutimi i parë ushtarak pas më shumë se 60 vitesh
Nëse ekzekutimi realizohet, sipas mediave amerikane do të jetë ekzekutimi i parë ushtarak në SHBA pas më shumë se 60 vitesh. Ai është planifikuar të zhvillohet më 3 dhjetor në bazën ushtarake Fort Hood në Teksas.
Aty, në vitin 2009, Nidal Hasan hapi zjarr ndaj ushtarëve, duke vrarë 13 persona dhe duke plagosur 32 të tjerë. Pas sulmit, atentatori deklaroi se kishte vepruar si hakmarrje për luftërat e zhvilluara nga SHBA-ja në botën myslimane. Ish-psikiatri ushtarak u dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake në vitin 2013.
Debat për dënimin me vdekje në SHBA
Presidenti Donald Trump e miratoi ekzekutimin vetëm pak kohë më parë, pak ditë pasi një përpjekje për ekzekutim në shtetin amerikan të Tennessee-së dështoi. Sipas autoriteteve, Christa Pike, e dënuar për vrasje, mori dy doza të substancës pentobarbital, por mbijetoi. Ky rast ka rindezur debatin mbi dënimin me vdekje në Shtetet e Bashkuara.
Pushkatimet publike janë përdorur në SHBA si mjet frikësimi dhe parandalimi, ndër të tjera gjatë Luftës Civile Amerikane në shekullin e 19-të. Ekzekutimi i fundit me skuadër pushkatimi nga ushtria amerikane u krye në vitin 1945. Ndërkaq, ekzekutimi i fundit publik në SHBA në përgjithësi u zhvillua në vitin 1936. Në atë kohë, në shtetin Kentucky, një burrë u var para mijëra spektatorëve.
Nëse Shtetet e Bashkuara do të kryejnë vërtet sërish një ekzekutim publik, kjo do t’i afronte ato me vende, praktikat e të cilave zakonisht i kritikojnë në raste të tjera. Sipas organizatës së të drejtave të njeriut Amnesty International, të paktën 17 ekzekutime publike janë kryer vitin e kaluar në mbarë botën: gjashtë në Afganistan dhe njëmbëdhjetë në Iran.