Katy Perry elektrizoi Prishtinën, vazhdon dita e dytë e Sunny Hill Festival 

Festivali më i përfolur i momentit ka filluar mbrëmë në Prishtinë. Në skenën e madhe të Sunny Hill Festival në mesin e shumë artistëve vendas dhe të huaj performoi edhe Katty Perry, festivali vazhdon sot dhe nesër, raporton Portalb.mk

Artistja e shumë hiteve ndërkombëtare, Katy Perry mbrëmë me performancë prej një orë e gjysmë e elektrizoi natën e parë të festivalit.  

Para saj performoi këngëtarja vendase Dhurata Dora, ndërsa para saj edhe Manifest, Blanco dhe Sahati. 

Pas mesnate programi vazhdoi meTommy Gold, Seth Troxler dhe Salome le Chat. 

Gjatë ditës performuan Caboo, Jolle, Ereza, Ilo, La Fazani, Urab B, Malix, Sindicato Del Baile.

Festivali do të vazhdojë edhe sot në katër skenat. Në skenën kryesore do të ngjithen Lewis Capaldi, Esdeekid, Auxlua, Lumi B, Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Buta, Eko. 

Pas mesnate në skenën C4 do të jenë Gjin, Pawsa, Kamelia. 

Program nga ora 13 deri më 19 do të ketë edhe në skenat The Next dhe The Satelite. 

Natën e tretë do ta kryesojnë Martin Garrix, Adam Port & Rampa dhe shumë të tjerë. 

Sunny Hill Festival është festivali më i madh muzikor në Kosovë dhe një nga festivalet kryesore të muzikës në Evropën Juglindore.

I themeluar nga familja Lipa në vitin 2018, festivali është përzgjedhur tri herë në listën e 10 festivaleve më të mira evropiane të kategorisë së mesme, ndërsa promovohet ndërkombëtarisht nga fituesja e trefishtë e çmimit Grammy, Dua Lipa.

Gjatë viteve, ai e ka vendosur Prishtinën në hartën ndërkombëtare të festivaleve si një destinacion kulturor që duhet vizituar, në një vend që e do muzikën dhe di të festojë.

Mediat ndërkombëtare e kanë krahasuar Sunny Hill-in me ndikimin që Coachella pati për një qytet të vogël në shkretëtirë.

Në edicionet e kaluara kanë performuar artistë si Dua Lipa, Miley Cyrus, Calvin Harris, Shawn Mendes, J Balvin, Anyma, Stormzy, Peggy Gou, Mochakk, Black Coffee, Burna Boy, Fatboy Slim, Martin Garrix, Hardwell dhe shumë të tjerë.

Sunny Hill është vlerësuar në tri cikle të European Festival Awards.

Sunny Hill Festival është ngjarje e hapur për personat 16 vjeç e lart.

Dua LipaSunny Hill FestivalTë rinj - Rini - RiniaVideo Lajme