Klubi i Karatesë ‘Khalid’ fitoi 16 medalje në turneun ndërkombëtar “Struga Open 2026”

Klubi i Karatesë KHALID ka shënuar një tjetër rezultat të rëndësishëm në skenën e garave, duke fituar 16 medalje në turneun ndërkombëtar të karatesë “Struga Open 2026”. Turneu, i zhvilluar gjatë fundjavës në Strugë, mblodhi rreth 40 klube nga Maqedonia e Veriut dhe rajoni, me pjesëmarrjen e rreth 480 garuesve në kategori të ndryshme. Garuesit e KHALID u paraqitën me rezultate të suksesshme, duke siguruar gjithsej 3 medalje të arta, 3 të argjendta dhe 10 medalje të bronzta, transmeton Portalb.mk.

Në mesin e kampionëve u renditën Blerona Idrizi, e cila triumfoi në kategorinë Senior Open, si dhe Rina Bajrami dhe Shkëmb Sabriu, të cilët fituan medaljet e arta në kategoritë e tyre.

Titullin e nënkampionit dhe medaljet e argjendta i siguruan Agon Haliti, Eda Saiti dhe Lejla Fazliu.

Ndërkaq, me medalje të bronzta u shpërblyen Merisa Idrizi, Amina Shabani, Muhamed Idrizi, Diesa Bilalli, Hadi Shaqiri, Trim Idrizi, Leart Bajrami, Erblin Bajrami, Vesa Ismaili dhe Olti Sadiku.

Pas përfundimit të turneut, trajneri i Klubit të Karatesë KHALID, Albion Idrizi, vlerësoi paraqitjen e garuesve dhe theksoi progresin e vazhdueshëm të tyre.

“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e të gjithë garuesve. Përveç medaljeve, ajo që më gëzon më shumë është progresi që po tregojnë sportistët tanë nga gara në garë. Secili prej tyre tregoi përkushtim, disiplinë dhe karakter në tatami. Ky rezultat është dëshmi e punës së vazhdueshme në stërvitje dhe mbështetjes së madhe që marrim nga prindërit”, u shpreh trajneri Idrizi.

Me këtë paraqitje, KHALID vazhdon të konsolidojë rezultatet e tij në garat vendore dhe ndërkombëtare, duke dëshmuar rritjen e vazhdueshme të sportistëve të klubit.

KarateSportSport RMV