Kasami kundër kritikave për restaurimin joadekuat të gjimnazit: Garantoj se do të ruhet fasada

Pas shqetësimeve të ngritura nga aktivistët e kulturës për mënyrën e restaurimit të objekteve të Gjimnazit të vjetër në Tetovë dhe thirrjeve që komuna të ndalojë punimet, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami thotë se do të ruhet trashëgimia në këtë objekt, shkruan Portalb.mk. 

Kasami tha se objektet në të cilat bëhen punime, garantojnë që do të ruhet deri në detaje fasada e cila ka qenë dhe nuk do të dëmtohet në asnjë moment ai objekt i trashëgimisë kulturore. 

“Përkundrazi zë gjitha intervenimet që do të bëhen brenda dhe jashtë objektit janë konform standardeve më të arta të trashëgimisë kulturore”, tha Kasami. 

Ai edhe pse u kritikua nga sektori civil por, edhe pasi Ministria e Kulturës tha se vendosja e fasadave moderne mbi objekte historike, pa pëlqim, paraqet shkelje të ligjit dhe konsiderohet degradim i trashëgimisë kulturore, ai i kritikoi ata anasjelltas. 

“Edhe njërën edhe tjetrën do ta kisha ftuar që të tregojnë se si kanë reaguar kur një objekt po aq afër vetëm rruga i ndan, ku u bastardua me një fasadë të llamarinës, dhe sot ai objekt i trashëgimisë kulturore duket i shpërfytyruar”, tha Kasami. 

Një nga të punësuarit e kompanisë që realizon punimet, edhe pse nuk deshi të flasë para kamerës, na tha se fasada nga jashtë do të bëhet siç ka qenë dhe se do të ruhet pamja e vjetër.

Pak ditë më parë, nga organizata HUTA ngritën shqetësime për mënyrën joprofesionale se si Komuna e Tetovës dhe Ministria e Kulturës po i trajtojnë objektet në qytet.

Roni Kadriu nga kjo organizatë theksoi se edhe dy objektet e vjetra te Gjimnazi i Tetovës që po restaurohen po bëhen në formën joadekuate.

“Ndërtimi është duke u mbuluar me stiropol, nuk është bërë ndonjë plan adekuat për restaurimin e të njëjtës, kemi fasadë të betonizuar dhe plastifikuar në vend të restaurimeve me metoda tradicionale, kjo nuk është restaurim por shkatërrim i trashëgimisë kulturore”, tha Kadriu.

Nga Ministria e Kulturës për Portalb.mk thanë se çdo ndërhyrje mbi një objekt që paraqet trashëgimi kulturore duhet të bëhet duke respektuar plotësisht autenticitetin, vlerën historike dhe rëndësinë kulturore të tij. 

“Ndërhyrje siç janë rinovimi, restaurimi apo adaptimi, duhet të kryhen mbi bazë të elaboratëve profesionalë dhe projekteve të miratuara nga institucioni kompetent. Vendosja e fasadave moderne mbi objekte historike, pa pëlqim, paraqet shkelje të ligjit dhe konsiderohet degradim i trashëgimisë kulturore”, thanë nga Ministria e Kulturës. 

Nëse deri tani nuk janë ndërmarrë masa të mjaftueshme, sipas ministrisë kjo ka ndodhur për shkak të mjeteve të kufizuara buxhetore, mungesës së koordinimit mes pushtetit lokal dhe atij qendror si dhe mosrespektimit të procedurave ligjore nga ana e disa investitorëve dhe pronarëve privatë. 

“Ministria nuk mbështet mbulimin e objekteve historike me fasada moderne, por për restaurimin e tyre profesional, autentik dhe ligjor. Trashëgimia kulturore në Tetovë ka vlerë të madhe dhe çdo qytetar ka të drejtë, por edhe obligim, të marrë pjesë në ruajtjen e saj”, thanë nga Ministria e Kulturës. 

Nga Më Mirë për Tetovën, thonë se deformimi i fasadave të dy objekteve të vjetra historike te ish shkolla e mesme medicinale e është akt i shëmtuar dhe tendencioz për të shlyer gjurmët nga e kaluara e qytetit tonë. 

“Me këtë është shkelur ligji dhe kërkojmë që çdo lloj punimi të bëhet nga ekspertët profesionistë të restaurimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Skena të tilla na kujtojnë vitin 2018 ku u tjetërsua Ndërtesa e arkivit të qytetit, objekt me histori mbi 100 vjeçare. Kërkojmë nga kryetari aktual i Komunës së Tetovës që të ndalojë urgjentisht punimet për të parandaluar dilentantizmin dhe papërgjegjësinë”, thanë nga Më Mirë për Tetovën. 

Kujtojmë se në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, në pjesën e kulturës përmenden investime dhe rikonstruime për Kalanë e TetovësTeqenë Arabati BabaUra e Kazazëve, por asnjëra nga këto nuk është realizuar në terren.

Bilall KasamiIniciativa Më mirë për TetovënKomuna e TetovësKulturë lajmeMinistria e Kulturës dhe Turizmit (MKT)Organizata HUTAVideo Lajme