Lëvizja Besa siç kishte paralajmëruar, sonte ka mbajtur mbledhjen e Kuvendit Qendror, ku u diskutua dhe u vendos në lidhje me cilësinë dhe të ardhmen e Lëvizjes Besa në pushtetin qendror dhe koalicionin VLEN. Lideri i kësaj partie, Bilall Kasami i shpalosi vendimet e Kuvendit në konferencën për media, transmeton Portalb.mk.
“Kuvendi Qendror i Lëvizjes Besa me shumicë votash miratoi vendimin për shkarkimin e Kryesisë Qendrore të Lëvizjes Besa, në vazhdën e procesit të filluar për bashkimin e VLEN-it në një subjekt të vetëm. Kuvendi i Lëvizjes vlerësoi se duhet të hapet rruga për strukturimin e VLEN-it dhe e solli këtë vendim bazuar në moratoriumin e aktiviteteve partiake nga subjektet që përbëjnë VLEN-in.”, deklaroi Kasami, duke sqaruar se ai është autorizuar nga partia për zhvillimin e bisedimeve për shkrirjen e VLEN-it në një parti.
Kasami sqaroi që në Kuvend u diskutua puna e funksionarëve të Lëvizjes Besa në Qeveri, duke vlerësuar se Besa ka kapacitet për shumë më shumë punë sesa është bërë deri tani. Ata paralajmëruan analizë të punës së funksionarëve, analiza që do të ndikojnë në rikonstruimin e ardhshëm të Qeverisë.
Në çështjen e parashtruar nga Portalb.mk. rreth shfrytëzimit të veturës zyrtare të ministrit Fatmir Limani në aktivitete partiake, ai paralajmëroi që kjo çështje do të diskutohet në parti dhe qeveri.
“Maturi dhe kthjelltësi, veprime që u takojnë nivelit të politikanëve që janë të matur nuk guxojnë të prishin strukturën e VLEN-it, sepse rikthehemi në kohën pas, krijojmë hapësirë për struktura tjera të kyçen dhe të bëhen pjesë e Qeverisë”, deklaroi Fatmir Limani para mbledhjes. Ai paralajmëroi se “Limani nuk është individ, ai nesër do të mund të jetë 15 deputetë”.
Paraprakisht, kryetari Kasami paralajmëroi debat për cilësinë e punës së Lëvizjes Besa në qeveri dhe mundësinë e bashkëpunimit me liderët e partive tjera.
Ndryshe Mickoski sot i doli në mbrojtje të ministrit Farmir Limani, për të cilin Kasami tha se mund ta shkarkojnë nga pozita. Kryeministri e quajti atë vlerë të shtuar në Qeveri.
Kur Bilall Kasami të bëhet Kryeministër, ai ndoshta do të thotë se kush do të jetë ministër dhe kush jo. Këtë e deklaroi sot (12 shkurt) ministri i Drejtësisë Igor Filkov, duke komentuar deklaratën e partnerit të koalicionit nga VLEN, Bilall Kasami, se në rikonstruksionin e Qeverisë të paralajmëruar për këtë pranverë, një nga ministrat që do të zëvendësohet është Filkov.