Kaos trafiku në Tetovë: Mërgimtarët erdhën, merimangat shkuan (Video)

Ngjashëm si vitet e kaluara, me ardhjen e mërgimtarëve, edhe këtë vit, dy muajt e fundit kaosi në trafik ka lulëzuar në Tetovë, ndërsa autoritetet nuk kanë gjetur ende zgjidhje për këtë problem të kamotshëm të qytetit, raporton Portalb.mk.

Pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve se ndërmarrin masa, situata në trafik mbetet thuaj se e pandryshuar, kolona të gjata dhe tollovi nëpër rrugët kryesore të qytetit.

Derisa qyteti po përballet me pikun e kaosit në trafik, qyteti mbeti edhe pa dy automjetet e shërbimit të merimangës të cilat i kishte marrë me qira nga një kompani private dhe të cilat largonin veturat e parkuara keq.

Sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit, shërbimi i merimangës nuk ka qenë funksional për shkak të mungesës së policëve rrugorë.

Për këtë ai zgjidhjen e sheh duke lënë në funksion vetëm një merimangë të ndërmarrjes publike, deri në momentin kur bllokimi i veturave të parkuara keq do të menaxhohet nga një operator privat që do të angazhohet nga komuna.

“Jo që nuk ka bashkëpunim me policinë, por realisht policia nuk ka kapacitet që në çdo pjesë të qytetit të ndërhyjë për largimin e veturave të parkuara pa leje. Këtë e dini që ne kemi tentuar, edhe ka ardhur në asistencë vetë Ministri i Punëve të Brendshme. Kemi kthyer në rrugë inspektorë, përkohësisht duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme që të ndërhyjnë, por është konstatuar që edhe ajo nuk ka qenë zgjidhje që ka zgjidhur problemin”, tha Kasami.

Megjithatë nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë thonë se katër policë rrugorë kanë qenë të angazhuar në dy ndërrime për t’i shërbyer karrotrecëve.

“Deri tani është praktikuar që të angazhohen katër policë, pra në dy ndërrime, për arsye se ka dy merimanga në dispozicion. Por ka raste kur ndonjëra nga merimangat është jashtë funksionit dhe nuk mund të funksionojë, kështu që kolegët angazhohen në detyrime të tjera deri në vënien në funksion të merimangave”, thanë nga SPB Tetovë.

Ndryshe, Tetova çdo ditë përballet me kaos në trafik. Pavarësisht se zgjidhja e këtij problemi pritej të bëhej me planin e mobilitetit, ky plan vazhdimisht u zvarrit ndërsa u publikua më 15 prill.

Pavarësisht se autoritetet me vite kanë premtuar zgjidhje për këto probleme, pamjet nga terreni flasin ndryshe. Situata rrëndohet ende më shumë gjatë verës dhe dimrit, kur kthehen mërgimtarët.

Bilall KasamiKaos trafikuKomuna e TetovësSPB TetovëTetovaVideo Lajme