Në Tetovë shumë semaforë nuk punojnë, duke shkaktuar vështirësi serioze në qarkullimin e automjeteve. Si pasojë e kësaj gjendjeje, në disa nga kryqëzimet më të frekuentuara krijohen kolona të gjata dhe bllokime të shpeshta të trafikut. Qytetarët ankohen, ndërsa komuna premtoi zgjidhje, shkruan Portalb.mk.
Mosfunksionimi i semaforëve për çdo ditë shkakton tollovi në trafik dhe revoltë te qytetarët.
“Tani e një kohë të gjatë është kështu, semaforët nuk punojnë si duhet, tollovi nonstop”, tha një qytetar.
“Semafori te Xhamia e Pashës është më problem, aty çdoherë bëhet tollovi te kryqëzimi, çdoherë kur kaloj kam frikë mos ndodh ndonjë aksident”, tha një qytetare.
“Kam dëgjuar se thonë se do e rregullojnë po s’po shoh se ka ndryshim”, tha një qytetar.
Inxhinieri i komunikacionit, Blerim Neimi thotë se ka vërejtur raste kur semaforët nuk janë të rregulluar siç duhet, shembull semafori në të njëjtin rast është i gjelbër edhe për këmbësorët edhe për veturat.
“Mungesa e funksionit të semaforëve apo mungesa e sinjalistikës, faktikisht bën një çoroditje tek vozitësit. Ata nuk mund të orientohen, nuk kanë instruksionet e duhura, kështu që faktikisht për të rënë në kurthin e Safe City janë më të shumta. Për të funksionuar Safe City është normale që duhet të funksionojnë sinjalistika vertikale horizontale dhe vlen te ceket se fazat apo ciklet e semaforëve nuk janë në rregull”, tha Neimi.
Komuna e Tetovës së fundmi hapi tender dhe përzgjodhi kompaninë ‘A-Zero’ nga Gostivari për rregullimin e sinjalistikës rrugore në qytet, përfshirë edhe semaforët.
Zëdhënësja e Komunës së Tetovës, Besarta Ramadani tha se kontraktuesi tashmë ka bërë porosinë për ndërrim të semaforëve me modele të reja moderne.
“Në disa semaforë do të bëhet edhe ndërrimi i funksionimit nga sistemi dyfazor në atë trefazor, me qëllim rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e qarkullimit. Po ashtu do vendosen edhe semaforë shtesë në disa pika”, tha Ramadani.
Ndryshe, Tetova çdo ditë përballet me kaos në trafik. Pavarësisht se zgjidhja e këtij problemi pritej të bëhej me planin e mobilitetit, i njëjti plan nuk ka filluar ende të implementohet në teren dhe po zvarritet.
Pavarësisht se autoritetet me vite kanë premtuar zgjidhje për këto probleme, pamjet nga terreni flasin ndryshe. Situata rrëndohet ende më shumë gjatë verës dhe dimrit, kur kthehen mërgimtarët.
- LEXO: Zvarritet plani i mobilitetit për kaosin e trafikut në Tetovë, dokumenti në përkthim
- LEXO: Bizneset private në Tetovë uzurpojnë vendparkimet publike duke vendosur shtylla, karrige dhe kartonë
- LEXO: Kaosi në trafikun e Tetovës: Aksionet institucionale e zbusin por nuk e zgjidhin problemin
- LEXO: Kaosi fillon prej para komunës, nuk ka zgjidhje për tollovitë në trafikun e Tetovës