Mijëra automjete, disa shumë të vjetra, një pjesë e konsiderueshme jashtë përdorimit, ndërsa disa të tjera në gjendje të panjohur. Me pak fjalë kjo është pasqyra e rreth shtatë mijë veturave zyrtare të institucioneve publike në Maqedoninë e Veriut të cilat i analizoi Portalb.mk. Të dhënat ngrenë pyetje për efikasitetin, shpenzimet publike dhe menaxhimin e pasurisë shtetërore.
Çfarë veturash kanë institucionet publike?
Sipas bazës së të dhënave nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ku figurojnë 6659 automjete zyrtare, mbi 15% apo 1009 automjete nuk janë në gjendje të lëvizshme ndërsa 179 automjete janë në gjendje të panjohur.
Tre automjetet më të vjetra kanë plot 58 vite dhe i përkasin vitit 1967, sipas të dhënave ende janë në gjendje të vozitshme, dy Mercedesa dhe një FAP.
21 automjete janë të vitit 2025 me modele të ndryshme si Shkoda, Ford, Opel dhe të tjera.
Marka më e përdorur e automjeteve nga institucionet shtetërore mbetet ‘Peugeot’, me 532 automjete.
Sipas të dhënave nga regjistri të viteve të prodhimit të automjeteve zyrtare, viti mesatar i prodhimit del të jetë 2009.
Institucioni me numrin më të madh të automjeteve është Ministria e Punëve të Brendshme, me 693 automjete.
Megjithatë, numri i automjeteve zyrtare është më i lartë, pasi jo të gjitha janë institucionet apo automjetet të përfshira në këtë regjistër.
Për shembull në dy javët e fundit Portalb.mk në komunikacion ka vërejtur dy vetura me targa zyrtare të kuqe, të cilat nuk figuronin në regjistër, njëra ishte e Bankës Zhvillimore dhe tjetra vozitej nga punonjës në Ministrinë për Çështje Evropiane.
Nga ana tjetër, ka edhe automjete me status të informatave të klasifikuara, prandaj për ata nuk ka të dhëna.
Institucione jotransparente
Shumë institucione nuk i dorëzuan të dhënat për automjetet zyrtare në Komisionin Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit para zgjedhjeve lokale ashtu siç e kërkon Kodi Zgjedhor.
Obligim për të dorëzuar të dhëna kishin gjithsej 1.514 institucione, por vetëm 635 institucione dorëzuan të dhëna, gjegjësisht 42%, ndërsa 879 institucione, gjegjësisht 58%, nuk dorëzuan fare të dhëna.
Nga KSHPK-ja konfirmuan për Portalb.mk se situata mbetet e njëjtë.
Megjithatë ende nuk ka një numër të saktë të numrit total të automjeteve zyrtare, për shkak se me të dhëna të tilla disponon edhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe të njëjtat nuk janë të harmonizuara me KSHPK-në.
Çfarë dilemash hapin të dhënat e regjistrit?
Gati një në çdo gjashtë automjete është ose e prishur, ose nuk ka të dhëna, ose e harruar në një cep parkingu.
Shumë vetura të institucioneve shtetërore janë të vjetërsuara dhe kjo hap çështje tjera si sa të shpeshta dhe të kushtueshme janë riparimet, sa efikase janë në konsumimin e karburanteve dhe sa u kushton taksapaguesve mirëmbajtja e tyre.
Marrë parasysh se në disa institucione dominon vetëm një markë e veturave, dilema që lind është se a bëhen analiza të mirëfillta të harxhimeve dhe performacës si dhe a krahasohen oferta të ndryshme reale në prokurime.
Në listë shihen tre ‘oldtimer’ nga viti 1967 të cilat ngrenë pyetjet se, a përdoren realisht këto automjete dhe a ja vlejnë kostot e mirëmbajtjes.
Pavarësisht automjeteve të vjetra, disa institucione kanë investuar në blerjen e veturave dhe modeleve të viteve të fundit. Megjithatë, në praktikë kjo më shumë duket si arnim i pjesshëm sesa si strategji e qartë për tranzicion drejt një flote më të re, më ekonomike dhe më të gjelbër (hibride, elektrike, standarde më të larta euro).
Nga këtu lind pyetja se a ka vendi një plan të konsoliduar për atë se sa makina do të nxirren nga përdorimi çdo vit, sa e çfarë lloj automjetesh do të zëvendësohen dhe sa prej tyre do të jenë më ekologjike.
Lexo storjet vijuese: