Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se, pas përfundimit të testimeve përfundimtare, janë vënë në funksion kamerat e sigurisë nga sistemi për mbikëqyrjen e trafikut “Qyteti i Sigurt”, në segmentin e autostradës ndërmjet fshatrave Gorenc dhe Trebenishtë, në Komunën e Debërcës, transmeton Portalb.mk.
Nga MPB-ja informojnë se së shpejti kamerat do të fillojnë të funksionojnë edhe në rrugët e Ohrit dhe rajonit përreth, ku pajisjet tashmë janë vendosur, ndërsa janë duke u kryer kontrollet dhe testimet e fundit teknike.
Nga MPB-ja u bëjnë apel drejtuesve të automjeteve që në mënyrë të vazhdueshme t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat e komunikacionit.
Kujtojmë se sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ hyri në fuqi pasi deputetët më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje. Sipas pushtetit ky sistem do të rrisë sigurinë në trafik, ndërsa sipas opozitës ka kritika të ndryshme për mangësi të sistemit.
Në fazën e parë ‘Qyteti i Sigurt’ filloi vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10.