Kallëzim penal kundër ish-kryetares së Komisionit për kanabis mjekësor në Ministrinë e Shëndetësisë në Shkup

Ministria e Punëve të Brendshme ka ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Publike kundër D.P. (39) nga Shkupi, për kryerje të veprës penale “punë e pandërgjegjshme në detyrë”, sipas nenit 383-b, paragrafi 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“E kallëzuara D.P., në periudhën nga 18.11.2022 deri më 21.08.2024, në cilësinë e personit përgjegjës – kryetare e Komisionit për vlerësimin e përmbushjes së kushteve lidhur me hapësirën, pajisjet dhe personelin për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore pranë Ministrisë së Shëndetësisë, ka vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme gjatë ushtrimit të autorizimeve dhe detyrave të saj zyrtare, në mënyrën që, në përputhje me nenin 29-b, paragrafi 5, pika 3 dhe nenin 29-v, paragrafi 5 të Ligjit për Kontrollin e Drogave Narkotike dhe Substancave Psikotrope, ishte e detyruar të organizonte ushtrimin e kontrollit të kultivimit të kanabisit të paktën dy herë në periudhën nga mbjellja/mbirja deri në korrje, nuk ka organizuar dhe nuk ka ushtruar kontroll ndaj personit juridik në Sveti Nikollë për prodhimin e kanabisit mjekësor”, informoi MPB.

Nga aty shtojnë se edhe përkundër njoftimeve të dorëzuara nga personi juridik gjatë vitit 2022 -dhe vitit 2023, e kallëzuara nuk ka ndërmarrë veprime për ushtrimin e kontrolleve të përshkruara me ligj, duke vepruar në kundërshtim me nenin 29-b, paragrafi 5, pika 3 dhe nenin 29-v, paragrafi 5 të Ligjit për Kontrollin e Drogave Narkotike dhe Substancave Psikotrope, me çka i ka mundësuar personit juridik të realizojë tepricë prodhimi prej 56 kilogramësh kanabis, konstatuar me procesverbalin e kontrollit të realizuar me datë 19.02.2025.

Keqpërdorim tenderiMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Ministria e Shëndetësisë (MSH)