Ka mbërritur në Shkup grupi i parë i shtetasve të evakuuar të RMV-së nga Dubai

Gjithsej 151 pasagjerë sonte kanë mbërritur në Aeroportin e Shkupit nga Emiratet e Bashkuara Arabe me fluturim të “Flaj Dubai”. Shumica e pasagjerëve kanë qenë shtetas të Maqedonisë së Veriut, një nga Mali i Zi, një nga BeH-ja, një nga Serbia, dy nga Kosova, ndërsa katër me shtetësi holandeze, njofton Portalb.mk.

Ata janë pritur nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

“Kyçe dhe më e rëndësishme është siguria e qytetarëve dhe këtu nuk guxojmë të bëjmë kompromis. Qëllimi im është që deri në fund të kësaj jave të gjithë qytetarët tanë që kanë kërkuar evakuim të mbërrijnë në shtet”, deklaroi Mucunski.

Mbi 600 shtetas të Maqedonisë së Veriut pritet të evakuohen, edhe pse kjo shifër, siç theksoi ministri, mund të ndryshojë.

Aeroplani i ardhshëm me shtetas të evakuuar duhet të mbërrijë të martën.

Mucunski për nesër paralajmëroi konferencë shtypi në të cilën do të kumtojë hollësi.

Kujtojmë se në Maqedoni u mblodh Këshilli i Sigurisë, pas çka u konstatua se situata aktualisht është e qëndrueshme dhe e sigurt.

Mëngjesin e 28 shkurtit Izraeli filloi sulmin ndaj Iranit, ndërsa më pas u bashkëngjitën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sulmet nisën teksa bisedimet mes Washingtonit dhe Teheranit për programin bërthamor të Iranit kanë qenë në vazhdim nën ndërmjetësimin e Omanit, raundi i fundit i bisedimeve në përfundoi të enjten në Gjenevë.

DubaiMinistria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ)Timço Mucunski