Janevska: Edukimi mediatik është aleat i fuqishëm në luftën kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave

Edukimi mediatik është një aleat i fuqishëm në luftën kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave. Ato, nga ana tjetër, janë një dukuri veçanërisht e zakonshme në hapësirën globale të internetit, ku gjithnjë e më shumë krijohen përmbajtje të sofistikuara duke përdorur inteligjencën artificiale dhe është e rëndësishme që qytetarët të kenë aftësitë për t’i njohur ato, për të dalluar faktin nga trillimi, transmeton Portalb.mk.

Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në fjalimin e saj në Konferencën Nacionale “Edukimi mediatik në arsim”.

“Me arsimin për edukimin mediatik, nxënësit fitojnë aftësi për të analizuar në mënyrë kritike përmbajtjen që marrin nga burime të ndryshme, ta kuptojnë atë në kontekst, ta lidhin atë me informacione të tjera dhe të jenë në gjendje të vlerësojnë cilësinë e tij dhe, si rezultat, të marrin vendime dhe gjykime në mënyrë të pavarur, bazuar në fakte”, theksoi Janevska.

Sipas saj, edukimi mediatik në kurrikulat e arsimit fillor është përfshirë në mënyra të ndryshme: mësohet si lëndë e veçantë në kurrikulën e gjuhës amtare – maqedonase, shqipe, turke, serbe dhe boshnjake, dhe mënyra tjetër është integrimi i edukimit mediatik me lëndë dhe fusha të tjera, për t’u mundësuar nxënësve të lidhin njohuritë nga fusha të ndryshme në një tërësi.

“Ajo mund të përdoret si mjet për realizimin e aktiviteteve të veçanta pothuajse në të gjitha lëndët mësimore, në departamente të ndryshme. Gjithashtu, aspekte të caktuara të edukimit mediatik mund të studiohen në thellësi përmes lëndëve zgjedhore falas nga klasa e katërt deri në klasën e nëntë”, theksoi ministrja Janevska, duke shtuar se përmes trajnimeve përkatëse parashihet forcimi i kompetencave të mësimdhënësve.

Janevska shprehu bindjen se prezantimi i rezultateve të deritanishme të realizimit të edukimit mediatik nga klasa e parë deri në klasën e nëntë dhe hapat e paralajmëruar për futjen e tij në arsimin e mesëm do të nënkuptojnë përmirësim të mëtutjeshëm të sistemit tonë arsimor.

Kujtojmë se dje u dhanë disa mesazhe në dëgjesën publike në Kuvend, ku u tha se edukimi mediatik nuk është thjesht aftësi, por domosdoshmëri për çdo aktor social. Edukimi joformal, ngjarjet publike, punëtoritë dhe seminaret luajnë një rol kyç në ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj dezinformimit. Shteti duhet të krijojë kushte për media të pavarura, ku gazetarët të mund të punojnë lirshëm dhe të ofrojnë informacion të besueshëm për publikun, për të mbrojtur demokracinë.

Ditët e edukimit mediatik u hap me 28 tetor, ku dhe u tha se edhe pse nga inteligjenca artificiale (IA) ka përfitime të mëdha, përdorimi i saj sjell edhe rreziqe, si për shembull përdorimi i saj për të ashtuquajturat qëllime të këqija që cenojnë mbrojtjen e privatësisë, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. “Prandaj është e nevojshme që të ketë rregullore të qarta për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha Milla Josifovska Danillovska, menaxhere e programeve në Fondacionin për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”.

Ndryshe, vitin e kaluar Ditët e edukimit mediatik filluan më 24 tetor dhe zgjatën deri më 31 tetor, nën moton “Gisht i shpejtë, lajme të rreme”. Dhjetë panele diskutimesh, debate online, ekspozita, ditë të hapura në media, shkolla studentore dhe sesione publike u organizuan nga anëtarët e Rrjetit.

Edukim Arsimim MediatikFondacioni Metamorfozis (Metamorphosis)Vesna Janevska