Janë hapur aplikimet për bursat Chevening të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar

Aplikimet për bursat prestigjioze Chevening për të studiuar në Mbretërinë e Bashkuar janë të hapura nga 5 gushti deri më 7 tetor 2025. Programi ofron diploma masteri tërësisht të financuara në universitetet e Mbretërisë së Bashkuar për individët që janë të gatshëm të udhëheqin ndryshime pozitive në vendet e tyre dhe në mbarë botën, transmeton Portalb.mk.

Për më shumë se 40 vjet, Chevening ka tërhequr qindra mijëra aplikime në nivel global. Aplikantët e suksesshëm janë individë që mund të demonstrojnë qartë aftësi të jashtëzakonshme të lidershipit, ndikimit dhe rrjetëzimit përmes shembujve bindës dhe të bazuar në prova.

“Procesi shumë konkurrues i përzgjedhjes së Chevening siguron që ata që zgjidhen për t’u bërë studiues ose bashkëpunëtorë akademik (Fellows) të Chevening përfaqësojnë individët më të ndritshëm dhe më të nxitur nga e gjithë bota”, tha ambasadori britanik në Maqedoninë e Veriut Methju Lauson (Matthew Lawson).

Ai shtoi se Alumni Chevening përdorin arsimin e tyre të klasit botëror, rrjetet globale dhe besimin e fituar në Mbretërinë e Bashkuar për të krijuar ndryshime domethënëse dhe të qëndrueshme kur kthehen në shtëpi, qoftë duke trajtuar sfidat globale ose duke bërë një ndikim të qartë në bashkësitë e tyre.

“Nëse mund të demonstroni qartë aftësitë e nevojshme për t’iu bashkëngjitur atyre – aftësi të jashtëzakonshme të lidershipit, ndikimit dhe rrjetëzimit – ju inkurajoj fuqimisht të aplikoni. Nëse nuk keni mbërritur ende aty, ju inkurajoj të gjeni kohën për të bërë përvojën që do ta bëjë aplikimin tuaj konkurrues. Unë jam vazhdimisht i frymëzuar nga përkushtimi dhe nxitja e bashkësisë së Chevening dhe mezi pres të shoh se çfarë do të sjellë brezi i ardhshëm i udhëheqësve”, ha ambasadori britanik.

Kandidatët potencial mund të paraqesin aplikimet e tyre përmes chevening.org/apply.

Para se të aplikojnë, kandidatët inkurajohen të shqyrtojnë burimet e disponueshme në chevening.org/guidance dhe të vlerësojnë nëse janë gati të paraqesin një aplikim konkurrues.

Që nga fillimi i programit në vitin 1983, mbi 60,000 profesionistë kanë avancuar karrierën e tyre përmes Chevening, duke demonstruar angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin e liderëve të së nesërmes.

Për informata të hollësishme mbi kriteret për pranim dhe specifikat e bursave, vizitoni chevening.org ose kontaktoni: Bela.Trenevska-Shotarovska@fcdo.gov.uk

Chevening është programi global i bursave të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, i financuar nga Zyra e jashtme, e Komonuelthit dhe e zhvillimit (FCDO) dhe organizatat partnere. Bursat mbështesin studimet njëvjeçare të nivelit master në universitetet e Mbretërisë së Bashkuar për individë me potencial të demonstrueshëm për t’u bërë udhëheqës të ardhshëm, vendimmarrës dhe formues të opinionit.

Chevening filloi në vitin 1983 dhe është zhvilluar në një skemë prestigjioze për bursa ndërkombëtare. Studiuesit e Chevening vijnë nga mbi 160 shtete dhe territore në mbarë botën. Ka mbi 60,000 të diplomuar Chevening në mbarë botën që përbëjnë një rrjet global shumë të vlerësuar dhe me ndikim.

Ambasada e Britanisë - Anglisë në RMVAnglia - Britania e MadheCTRL Z – CTRLZMetju Lavson (Matthew Lawson)Studentë