Izet Mexhiti: Askush nga VLEN nuk ka asnjë dilemë, përveç Taravarit

Marrëdhëniet në koalicion janë të mira, ne komunikojmë, por të gjithë duhet ta dinë se koalicioni VLEN është antipodi i BDI-së dhe solli ndryshimin e shumëpritur në kampusin shqiptar. Dhe ky ndryshim duhet të shtyhet deri në fund. Këto ditë po diskutohet për bashkimin e partnerëve të koalicionit VLEN në një parti politike që do të përfaqësojë shqiptarët në zgjedhjet lokale. I vetmi që dyshon dhe mendon për bashkëpunim të mundshëm me BDI-në është Taravari dhe për këtë duhet ta pyesni atë, tha sot Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike, pjesë e VLEN-it, i pyetur për performancën e koalicionit në zgjedhjet e ardhshme lokale, transmeton Portalb.mk.

“Taravari është ai që duhet të sqarojë për dilemat me VLEN-in apo bashkëpunimi me BDI-në. Mendojmë se ky bashkëpunim do të ishte i panatyrshëm. Koalicioni u krijua për të mposhtur BDI-në. Në zgjedhjet lokale planifikojmë të dalim me lista të përbashkëta, kandidatë të përbashkët, program dhe platformë të përbashkët, dhe nëse është e nevojshme diku do të mbështesim edhe një kandidat të pavarur. Nuk ka kuptim që të gjithë vetë të shkojnë në zgjedhje lokale. Të gjitha argumentet politike tregojnë se duhet të shkohet me lista të përbashkëta në VLEN, me një kandidat, një listë, një program…”, tha Mexhiti.

Nga ana tjetër, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, dje në një prononcim për mediat gjatë pauzës së mbajtjes së mbledhjes së Kuvendit të partisë në Gostivar tha se janë marrë vesh që Kryesia e ngushtë e ASH-së të angazhohet në gjetjen e një gjuhe të përbashkët me koalicionin VLEN, me synimin për të dalë së bashku në zgjedhjet e ardhshme, transmeton Portalb.mk. Ai informoi se kjo parti me shumë gjasë, do të del veçmas me listat e tyre kandidatëve për këshillat komunalë kurse për kandidatët për kryetarë komune do kërkojnë bashkëpunim nga parti të ndryshme.

“Qëndrimi ynë i përbashkët është që ta ruajmë unitetin e VLEN-it deri në atomin e fundit,” deklaroi kreu i ASH-së, Arben Taravari.

Sipas tij, ASH nuk përjashton as opsione të tjera rezervë, por thekson se prioritet mbetet bashkëpunimi në kuadër të VLEN-it.

Një tjetër propozim që ASH i ka adresuar VLEN-it siç tha Taravari është realizimi i sondazheve të përbashkëta për të matur potencialin elektoral.

“Qëllimi final nuk është të fitojë vetëm Aleanca apo një parti tjetër, por të fitojë VLEN-i si koalicion. Historia ka treguar se kudo që ka qenë ASH, ai koalicion ka dalë fitues”, tha Taravari.

I pyetur për ofertën e Bekim Qokut, që e bëri në emër të liderëve të tjerë të VLEN, gjegjësisht që ASH të caktojë kandidat për Gostivarin, Strugën, Vrapçishtin, dhe të zgjedhë një prej Likovë/Haraçinë/Studeniçan dhe një prej Bërvenicës/Çashkës, Taravari tha se edhe ASH do t’i bëjë dy oferta VLEN-it.

Nga ana tjetër, Bekim Qoku nga Lëvizja Vetëvendosje në Maqedoni, që është pjesë e VLEN tha se, nuk do të mbështesin asnjë subjekt që do të garojë në zgjedhje lokale jashtë këtij koalicioni që siç tha pa asnjë interes në ekzekutiv dhe pa asnjë anim ndaj ndonjërës nga katër partnerët.

“Në historinë e fundit, ne kemi arritur të shohim qartë se partitë që kanë pretenduar të dalin vetë, në fakt ujin e kanë çuar gjithmonë në mullirin e Ali Ahmetit. Me këtë mulli janë ushqyer vetëm familjarët e tij dhe një rreth tejet i ngushtë. Nga ana tjetër, kur janë bashkuar shqiptarët, kjo i ka detyruar armiqtë të nxjerrin kokë e të dalin në pah. Ali Ahmeti sa herë që ka qenë pjesë e qeverisë, gjithmonë e ka korruptuar elementin shqiptar, sepse, duke e keqpërdorur atë, e ka kthyer nga përbërës politik dhe shtetformues në një mjet për përfitime klanore dhe familjare. Pra nga përfaqësues së një populli në përfaqësues mafioz. Ne duam të përfaqësojmë progresivisht të gjithë elementin shqiptar në MV, dhe t’i përfaqësojmë bashkërisht dhe jo ndaras. VLEN u krijua në këtë frymë, pati suksesin e parë në këtë frymë dhe duhet të vijojë në këtë frymë. Si elementi i Vetëvendosjes! në këtë koalicion, me të vetmin rol të ngjitjes dhe përbashkimit, pra pa asnjë interes në ekzekutiv dhe pa asnjë anim ndaj ndonjërës nga katër partnerët, dhe duke ruajtur dhe kultivuar vetëm frymën e unifikimit, nuk do të mbështesim asnjë subjekt që do të garojë jashtë këtij koalicioni”, ka shkruar Qoku.

Siç  duket, partneri shqiptar në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, koalicioni VLEN nuk po i jeton ditët më të mira sa i përket harmonisë brenda partive që formuan koalicionin si dhe ujdisë së mundshme për zgjedhjet lokale që do të mbahen në fund të këtij viti. Shkuarja në zgjedhje lokale e VLEN-it, nga të njëjtat parti siç u bashkuan për parlamentaret është bërë temë që ka ndarë mendimet e subjekteve që përbëjnë koalicionin VLEN.

Koalicionin VLEN e përbëjnë Lidhja Demokratike, Alternativa, Lëvizja BESA, ASH e udhëhequr nga Arben Taravari, dhe Lëvizja Vetëvendosje. VLEN është partner koalicioni i VMRO-DPMNE dhe ZNAM, me të cilët qeverisin me pushtetin aktual. VLEN-i ishte bashkuar për ta rrëzuar qeverisjen mbi dy dekadëshe të BDI-së.

Kujtojmë se zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6.

Arben TaravariIzet MexhitiVLEN koalicioni