Italia përballet me rënie të punësimit, rritet pasiviteti

Tregu i punës në Itali humbi vrullin gjatë muajit nëntor 2025, duke shfaqur një kombinim të pazakontë të rënies së punësimit dhe uljes së papunësisë, një zhvillim që sinjalizon rritje të pasivitetit në tregun e punës. Të dhënat janë publikuar nga Instituti Kombëtar i Statistikave, Istat, raporton Euronews.

Sipas Istat, punësimi ra me 34 mijë persona gjatë muajit nëntor, duke e ulur shkallën e punësimit në 62.6 për qind. Rënia nuk ishte e njëtrajtshme, por preku kryesisht gratë, të vetëpunësuarit dhe punëtorët me kontrata me afat të caktuar.

Në aspektin e moshës, goditjen më të fortë e pësuan grupmoshat 15–24 vjeç dhe 35–49 vjeç, ndërsa grupmosha 25–34 vjeç shënoi një ndryshim pozitiv të trendit. Punësimi mbeti përgjithësisht i qëndrueshëm te burrat, punonjësit me kontrata të përhershme dhe personat mbi moshën 50 vjeç.

Ndërkohë, numri i personave që kërkojnë punë ra me 2 për qind, ose rreth 30 mijë më pak se një muaj më parë, duke e ulur shkallën e papunësisë në 5.7 për qind dhe papunësinë e të rinjve në 18.8 për qind. Megjithatë, kjo rënie nuk u shoqërua me përmirësim të tregut të punës.

Istat thekson se në të njëjtën periudhë është regjistruar një rritje e ndjeshme e pasivitetit. Numri i personave të moshës 15–64 vjeç që nuk ishin në punë dhe nuk kërkonin aktivisht punë u rrit me 72 mijë persona, ose 0.6 për qind, duke e çuar shkallën e pasivitetit në 33.5 për qind.

Kjo rritje u shënua në të dy gjinitë dhe në shumicën e grupmoshave, me përjashtim të grupmoshës 25–34 vjeç, e cila mbeti jashtë këtij trendi.

ItaliaPapunësi