Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Të 91 deputetët që morën pjesë në votim votuan për – asnjë kundër dhe asnjë abstenim, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Projektligji nuk është miratuar ende përfundimisht. Ai duhet të kalojë nëpër shqyrtim në komision dhe më pas të rikthehet në Kuvend për lexim të dytë. Aleanca kërkoi që edhe votimi i dytë të bëhet sot.
LVV-ja e mbështeti nismën. Kryeministri Albin Kurti tha se ndryshimet janë të ngutshme, por se partia e tij do t’i mbështesë. Ai tha gjithashtu se “adresa e fitores është apeli” dhe kërkoi strategji shtetërore e kombëtare për proceset në Hagë.
LDK-ja nuk mori pjesë në votim. Partia tha se nuk mund të bëhet pjesë e nismës, duke argumentuar se ndryshimet e propozuara “mund të mos prodhojnë efekt juridik”. Sipas LDK-së, rruga për ndryshimin e një aktgjykimi është ajo gjyqësore, përmes apelit.
PDK-ja, propozuese e ndryshimeve, tha se nisma nuk synon mbylljen e Speciales, por kufizimin e juridiksionit të saj dhe rritjen e mbikëqyrjes. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kërkoi që deputetët të kenë qëndrim unik për projektligjin.
Ndryshimet prekin disa pjesë kyç të funksionimit të Speciales: juridiksionin dhe periudhën që ajo mbulon, dënimin maksimal – që propozohet të jetë 15 vjet – mbajtjen e dënimeve në Kosovë dhe mundësinë e faljes presidenciale.
Protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë para Kuvendit edhe pas votimit në lexim të parë. Organizatorët thanë se do të qëndrojnë aty derisa projektligji të kalojë edhe në lexim të dytë.