Islam Abazi nuk do të rikandidojë për drejtues të PNKOK

Me përfundimin e mandatit katërvjeçar, drejtuesi aktual i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), Islam Abazi, thotë se nuk po mendon të kandidojë sërish për këtë pozitë, transmeton Portalb.mk.

“Pas viteve në një funksion drejtues, mendoj se njeriu duhet të thotë – mjaft është, dhe t’u lërë hapësirë prokurorëve të tjerë. Do të kthehem në Prokurorinë e Lartë Publike në Gostivar”, tha Abazi në brifingun e sotëm me gazetarët.

Më 28 tetor të këtij viti, prokurorët publikë nga të gjitha prokuroritë në vend do të votojnë në zgjedhje të drejtpërdrejta për drejtuesin e ri të PTHP NKOK.

Ligji aktual për Prokurorinë Publike parashikon mundësinë e rizgjedhjes, ndërsa projektligji i ri, i cili është bllokuar në Kuvend, parashikon mandat gjashtëvjeçar për drejtuesin e PTHP NKOK, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Zgjedhja e Islam Abazit në vitin 2022 u shoqërua me polemika, veçanërisht pasi u publikuan fotografi të tij me figura të larta të BDI-së dhe me vëllain e Ali Ahmetit.

Nga Ambasada e SHBA-së në atë kohë deklaruan se ishin të befasuar nga zgjedhja e Abazit, veçanërisht duke pasur parasysh milionat e dollarëve të shpenzuara për trajnime dhe ngritjen e kapaciteteve të sistemit gjyqësor në vend.

Islam AbaziProkuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit