Për gjithë dashamirët e fjalës së shkruar sot në Portalb.mk sjellim intervistën me Irma Kurtin, poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Irma Kurti është ndër të vetmet poete shqiptare që shkruan tekste këngësh në tri gjuhë: shqip, italisht, anglisht. Ajo ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 93 çmime kryesisht në Itali dhe në Zvicër, 16 prej të cilave janë çmime të para. Irma Kurti është një nga autoret shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara në mbarë botën. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 20 vende të botës. Ndiqni në vijim bisedën që realizuam me atë.
Portalb.mk: Keni ndërtuar karrierë të pasur dhe të suksesshme ndërkombëtare si shkrimtare, poete, publiciste, gazetare dhe përkthyese shqiptare. Si kanë ndikuar përvojat tuaja jetësore në mënyrën se si qaseni ndaj secilit prej këtyre roleve?
Irma Kurti: Kam filluar të shkruaj poezi qysh në moshën 10 vjeçare, kurse gazetaria ka qenë një nga pasionet dhe profesionet e mia të para. Në 1986 u prezantova si poete në Festivalin e Interpretuesve dhe më pas në Festivalin e këngës në RTSH dhe këngët me tekstet e mia “Urimi yt” dhe “Mbrëmja që mban dashurinë time” u vlerësuan me çmime të treta, por publiku u dha vlerësimin më të lartë. Në stade të ndryshme të jetës ndonjë prej tyre mbeti “në harresë”, por duke qenë se bëhet fjalë për pasione, ato ishin sërish brenda meje dhe në momente të caktuara trokisnin në shpirtin tim për t’iu dedikuar përsëri.
Përvoja më ka ndihmuar të përballem me natyrshmëri dhe pa u dekurajuar me vështirësitë apo dyert e mbyllura si dhe t’u dedikohem këtyre roleve edhe sot. Sot, kam kënaqësinë të jem pjesë e redaksisë së tre gazetave italiane dhe të jem bashkëpunëtore e rregullt me disa revista në gjuhën angleze, italiane dhe shqipe. Karriera ime e gjatë si autore e teksteve të këngëve me më shumë se 150 tekste këngësh, më ka ndihmuar të bashkëpunoj me kompozitorë internacionalë si italianë, amerikanë, kanadezë, kilianë dhe turq, duke e kapërcyer kështu edhe kufirin e përfytyrimeve të mia.
Portalb.mk: Si gazetare dhe shkrimtare, si e keni parë ndryshimin e marrëdhënies midis fjalës së shkruar dhe publikut ndër vite, sidomos në kohën e mediave të shpejta dhe teknologjisë?
Irma Kurti: Koha e teknologjisë, përveç anëve pozitive, siç mund të jenë krijimi dhe kultivimi i një arti dhe letërsie pa kufij, i ka larguar njerëzit nga leximi i librave, duke u grabitur një pjesë të kohës së çmuar dhe duke bërë që ta shpenzojnë atë më së shumti në rrjetet sociale. Lajmet që lexojmë shpesh nuk verifikohen, por botohen apo kopjohen nga media të ndryshme online. Ndjej dhembje kur shikoj këtë realitet dhe kur sjell ndërmend sakrificat e kohës kur unë punoja në gazeta, përgjegjësinë për të botuar lajme të besueshme, po edhe pa një gabim ortografik, rendjen për të pasqyruar ngjarjet me një bllok shënimesh në dorë dhe orët e vona në shtypshkronjë…
Portalb.mk: Në poezinë tuaj ndjehet një thellësi emocionale dhe një ndjeshmëri e veçantë. Si arrini të ruani këtë autenticitet përballë sfidave të jetës moderne?
Irma Kurti: Poezia është produkt i shpirtit dhe mbetet i tillë. Në krijimtari jam vetvetja, me forcën dhe brishtësitë e mia dhe ajo ka ruajtur po atë lirizëm dhe emocion që mbante qysh në bankat e shkollës. Poezia është pjesë e pashkëputur e jetës sime, bashkëbiseduesja ime më e mirë me të cilën ndaj dhembjen dhe gëzimin. Dikur në Shqipëri, duke qenë se nuk jam përkrahur kurrë nga qarqet letrare, më ka ndodhur të dyshoj në vargjet, në stilin tim. E megjithatë dhe atëherë, nuk jam rrekur aspak të ndryshoj diçka. Përsa i përket ndjeshmërisë… mëse e vërtetë. Mendoj se të jesh e ndjeshme në këto kohë të çmendura është virtyt po edhe mallkim.
Portalb.mk: Çfarë roli ka luajtur emigracioni në krijimtarinë tuaj?
Irma Kurti: Emigracioni më vuri përballë një kulture të re që nuk e kisha menduar më parë dhe pas pak vitesh fillova ta bëj pjesë të jetës sime. E konsideroj gjuhën, kulturën e një vendi tjetër një pasuri të çmuar. Për arsye edhe të distancës me vendin tim, unë lexoj vetëm libra në gjuhën italiane dhe punoj çdo ditë me të. Kjo është një nga sfidat e mia më të mëdha. Kur shkela në Itali nuk e mendoja kurrë se një ditë do të mund të shkruaja edhe në gjuhën e këtij vendi…Tanimë, kur së shpejti do të dalë nga shtypi libri im i 30-të në gjuhën italiane (po aq sa janë botuar edhe në gjuhën shqipe) jam e kënaqur dhe krenare për këtë. Nga ana tjetër, statusi i emigrantes i ndryshoi dhe i pasuroi tematikat e librave të mi e kjo duket në poezi po edhe në romanet që kam shkruar si: “Midis dy brigjeve”, “Lajmet vijnë edhe këtu”, “Njeriu që fliste me pemët”, “Ditët e fundit të një qyteti” etj.
Portalb.mk: Në rrugëtimin tuaj si gazetare, a keni pasur ndonjë histori që ju ka prekur thellë, sa e keni marrë me vete edhe në vargjet tuaja?
Irma Kurti: Unë kam bërë gazetaren në kohë vërtet të vështira dhe të trazuara, kur jeta shqiptare thithte vetëm ajrin e politikës dhe unë bëja çmos që të mos bija në grackën e saj, duke iu përkushtuar kulturës. Shumë artikuj të shtypit të asaj kohe i kam botuar në librin “Copëza shënimesh nëpër rrugët e shkreta” (Botimet Morava 2013). Po kështu, fragmente kujtimesh gjatë punës sime si gazetare zënë vend edhe në romanin “Njeriu që fliste me pemët”, botuar në vitin 2015.
Portalb.mk: Nëse do t’ju kërkonin të përzgjidhnit një varg tuajin që të përfaqësonte udhëtimin tuaj si shkrimtare, cili do të ishte ai?
Irma Kurti: Citoj këtu dy strofa të njërës prej poezive të mia të shkëputura nga libri “Në pragun e një dhimbjeje” (ADA, 2016). Titullohet: “Radiografia e jetës sime”:
Kjo është radiografia e jetës sime,
asgjë s’mund t’i shtoj apo t’i heq,
do të gjeni lot, gëzime të dëlira,
fjalët janë të rralla, kushedi pse.
Njollat e bardha që ngjajnë me retë
tregojnë vuajtjet e mia në atë burg,
vështirësitë, që më bënë të braktis
familjen dhe Tokën time, gjithashtu.
Portalb.mk: Ju jeni edhe përkthyese, çfarë është më sfiduese: të përktheni vargjet e të tjerëve apo të përpiqeni të përktheni veten?
Irma Kurti: Kur përkthej poezitë e mia në italisht apo në anglisht ndihem më e lirë, mund t’i largohem edhe origjinalit për arsye të ritmit apo rimës së vargut. Sfida më e madhe është të përkthesh krijimtarinë e poetëve të tjerë. Kjo ka të bëjë me mundimin për ta sjellë poezinë në një gjuhë tjetër sa më pranë origjinalit, por lidhet pashmangërisht edhe me stilin, strukturën dhe figurat stilistike. Rëndom poezitë janë të rimuara, abstrakte dhe të vështira për t’u deshifruar.
Portalb.mk: Keni fituar shumë çmime letrare. Si ndikon kjo në krijimtarinë tuaj? A ndiheni më e përgjegjshme ndaj lexuesve?
Irma Kurti: Po, deri tani jam nderuar me 93 çmime kryesisht në Itali dhe në Zvicër, 16 prej të cilave janë çmime të para. Kur u nderova me vendin e parë në Konkursin Ndërkombëtar të poezisë dhe prozës “Napoli Cultural Classic” në 2011, mu duk sikur preka qiellin me dorë. Çmimet e fituara më nxitën që të besoj te vetja dhe te krijimtaria ime. Ato ishin shtysa më e madhe për t’iu dedikuar me më shumë pasion dhe këmbëngulje të shkruarit.
Në Shqipëri kam qenë dhe jam ndjerë gjithmonë në hije, e përjashtuar, e zhgënjyer, e palumtur, sepse nuk doja dhe nuk mundesha të bëhesha kurrë pjesë e klaneve, e grupeve, e favoreve, e interesave të ngushta partiake që dominonin Artin dhe Kulturën. Kjo politikë vazhdon edhe sot. Nëse do të mbetesha në Shqipëri, me siguri do të isha po aty, në hije, anonime dhe e padukshme.
Portalb.mk: Cili është mesazhi kryesor që përpiqeni të përcillni përmes vargjeve, tregimeve dhe artikujve tuaj për brezin e ri që kërkon të ndjekë rrugën e letërsisë dhe gazetarisë?
Irma Kurti: Mesazhi kryesor që përcjell përmes vargjeve dhe prozës sime është mesazhi i dashurisë, i paqes, respekti për prindërit, për të moshuarit apo për njerëzit e brishtë, dëshira për të krijuar një familje ku mbizotërojnë, me gjithë kundërshtitë, ndjenja dhe harmonia. Në librat e mi në gjuhën shqipe apo ata të botuar dhe përkthyer deri tani në 20 shtete të botës nuk resht së falënderuari prindërit e mi Hasan dhe Sherife Kurti, që më kanë ndihmuar, përkrahur dhe mbështetur në çdo hap të rrugëtimit tim. Ata janë dhe mbeten dashuria ime e madhe që më frymëzojnë edhe sot, nga një dimension tjetër.
Të rinjve që duan t’i dedikohen letërsisë u këshilloj që të lexojnë dhe të shkruajnë çdo ditë. Të mos joshen nga botimet e lehta nëpër gazeta apo revista… Të kërkojnë shtigje të pashkelura, të trokasin në porta, që ndoshta nuk do t’u hapen, të rrëzohen, për t’u ngritur prapë. Krijimtaria së pari është talent, por mbi të gjitha punë, disiplinë dhe këmbëngulje.