Ministria e Shëndetësisë informoi se lidhur me vdekjen e pacientes 30-vjeçare në Repartin infektiv në Spitalin Klinik të Tetovës inicioi mbikëqyrje inspektuese deri te Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH). Për rastin ka reaguar Spitali i Tetovës, ku thonë se personeli mjekësor i spitalit ka vepruar me përkushtim të plotë dhe brenda të gjitha standardeve profesionale, njofton Portalb.mk.
Në kumtesën nga SPB Tetovë thuhet se anëtarët e familjes në polici kanë denoncuar se pacientes 30-vjeçare nuk i është ofruar ndihma e duhur mjekësore, pas së cilës ka ndërruar jetë.
“Më 10.08.2025 në ora 03:20 në SPB Tetovë, J.S. nga fshati Kopanicë e Tetovës, ka raportuar se në Repartin Infektiv të Spitalit Klinik Tetovë është hospitalizuar S.S. (30) nga fshati Kopanicë, anëtare e familjes së tij e cila shpejt ka ndërruar jetë. Sipas raportimit, ajo ishte pranuar për trajtim spitalor një ditë më parë në ora 19:00 dhe gjoja, sipas thënieve të tij, nuk i është ofruar ndihma e duhur mjekësore, pas së cilës ka ndërruar jetë. Punonjësit e policisë nga SPB Tetovë kanë dalë në vendngjarje dhe lidhur me raportimin është formuar një ekip për hetimin e ngjarjes, i cili do të udhëhiqet nga prokurori publik në bashkëpunim me një ekip nga SPB Tetovë”, potencojnë nga SPB Tetovë.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se opinioni do të njoftohet me kohë pas përfundimit të procedurës për konfirmim të gjendjes faktike. Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në transparencë, përgjegjësi dhe sigurim të mbrojtjes clësore shëndetësore për të gjithë qytetarët.