Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar tre persona si të dyshuara për incizime me përmbajtje pornografike. Në video është i përfshirë një fëmijë trevjeçar, transmeton Portalb.mk.
“Në Gostivar, zyrtarët policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria A.Q. (31) nga Republika e Shqipërisë, me vendbanim në rrethinën e Gostivarit, motrën e saj M.J. (22) nga rrethina e Tetovës, ndërsa më 27.07.2025 është privuar nga liria edhe shoqja e tyre E.I. (23) nga rrethina e Tetovës, duke vepruar sipas një raporti të mëparshëm nga bashkëshorti 34-vjeçar i A.Q. “, njoftoi Policia.
Prokuroria Themelore Publike ka dhënë Urdhër për fillimin e hetimeve ndaj nënës, e cila dyshohet se ka keqpërdorur vajzën e saj dhjetëvjeçare dhe djalin trevjeçar. Ajo dyshohet për prodhimin dhe shpërndarjen e pornografisë për fëmijë.
“Në periudhën gjatë qëndrimit në Itali, A.Q., M.J. dhe E.I. kishin incizuar dhe i kishin dërguar video me përmbajtje pornografike të djalit të tij trevjeçar. Ato u mbajtën në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do t’u përgatitet parashtresë përkatëse sipas neneve 201 dhe 193-a të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Gostivarit përcaktimin e masës së paraburgimit për tre të dyshuarat.
Ndryshe, Regjistri i pedofilëve në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbetet vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa Ministria e Politikës Sociale thekson se po punohet që regjistri të jetë në tre gjuhë. Regjistri funksionon që nga viti 2012 dhe aktualisht në këtë regjistër figurojnë 334 persona.
Në episodin e fundit të OpenMic Podcast në Portalb.mk u diskutua tema e pedofilisë, profesoresha e së Drejtës Penale Vedije Raktoceri, përmendi këtë regjistër si një hap të rëndësishëm në luftimin e këtij problemi, por ajo përmendi edhe ngecjet.
Ideja e regjistrit të pedofilëve (www.registarnapedofili.mk) është të publikohen emrat, mbiemrat, pseudonimet, fotografitë dhe adresën ku jetojnë kryerësit e veprave penale që janë dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm për vepra penale të keqpërdorimit seksual të fëmijëve.
- LEXO: Fëmijët flasin tre gjuhë, por mbrohen vetëm në një: Regjistri i pedofilëve në RMV ende pa përkthim
- LEXO: Emrat e pedofilëve mund t’i mësoni vetëm në maqedonisht, regjistri assesi të përkthehet në shqip
- LEXO: Bllokimi i komisionit kuvendor në RMV shpëton 15 pedofilë nga publikimi i të dhënave të tyre në Regjistrin e Posaçëm
- LEXO: Numri i pedofilëve të regjistruar në RMV është 303, regjistri me shumë mangësi, të dhëna shqetësuese (Infografik)