I gjithë Shkupi mban erë tymi, QMK: Është nga zjarri Kitka

Për më shumë se dy orë, kryeqyteti është mbuluar nga tymi, ndërsa era e djegies ndihet në disa pjesë të qytetit. Ndotja nga tymi është si pasojë e erës së fortë, e cila po e bart tymin nga zjarri aktual në malin Kitka, në territorin e komunave Studeniçan dhe Zelenikovë, informojnë nga Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk.

Nga QMK shtojnë se në zjarrin në Kitka deri tani ka ndërhyrë një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), me qëllim vënien e zjarrit nën kontroll.

Nga QMK konfirmojnë se deri në këtë moment nuk ka mbërritur asnjë denoncim për zjarr të mundshëm në malin Vodno.

Përveç zjarrit në Kitka, janë regjistruar edhe dy zjarre në bar të thatë dhe pyje të ulëta të degraduara në Komunën e Ilindenit, si dhe një zjarr në Komunën e Sarajit, pranë fshatit Bojanë, ku gjithashtu është përfshirë pylli.

Qytetarët në rrjetet sociale nga komuna të ndryshme të Shkupit paraprakisht reaguan dhe po pyesnin se çfarë po ndodh dhe nëse dikush ka informacione për një zjarr të mundshëm.

Nga kamera e vendosur në majën e Vodnos mund të vërehej se dukshmëria mbi Shkup është ulur ndjeshëm.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim RMVNdotja e ajrit - ajër i ndoturQendra për Menaxhim me Kriza (QMK) RMV