Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka ngritur procedurë për ndërprerjen e marrëveshjes koncesionare për hidrocentralin e vogël “Ribniçka” në Parkun Kombëtar “Mavrova”. Edhe pse procedura për ndërprerjen e koncesioneve tashmë ka filluar për dy hidrocentrale të tjerë të vegjël që depërtonin në zonën e mbrojtur, “Zhirovnica” 5 dhe 6, për hidrocentralin “Ribniçka” deri më tani nuk është ngritur procedurë për ndryshimin e lokacionit dhe as për ndërprerjen e koncesionit, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.
Sipas zonimit, të përfshirë në Studimin e ri të valorizimit të Parkut Kombëtar”Mavrova”, lokacioni i hidrocentralit “Ribniçka” ndodhet në zonën e kuqe, gjegjësisht prek pjesë si të zonës rreptësisht të mbrojtur ashtu edhe të zonës së menaxhimit aktiv, ku janë të ndaluara ndërtimet e këtij lloji të objekteve infrastrukturore. Nga udhëheqësia e PN “Mavrova” thonë se në park nuk ka vend për një hidrocentral të vogël të ri dhe as nuk pajtohen me ndryshimin e lokacionit të hidrocentralit “Ribniçka”.
“Në shtatë vitet e fundit ne kemi dhënë të paktën dhjetëra mendime në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor, në të cilat kemi shprehur mospajtim për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël në Parkun kombëtar. Të njëjtin qëndrim e kemi edhe për hidrocentralin “Ribniçka”, vendndodhja e të cilit është në zonën e kuqe ku nuk lejohet ndërtimi. Zonimi që është bërë së fundmi në Studimin e Valorizimit është një tjetër konfirmim i qëndrimit tonë”, thotë drejtori i Parkut Kombëtar të Mavrovës, Samir Ajdini.
Brenda kufijve të parkut tashmë janë ndërtuar dy hidrocentrale të vegjël “Galiçka” 33 dhe “Tresoneçka” 11, menaxhimi i të cilave do të duhet të rregullohet në përputhje me marrëveshjen për koncesion dhe Planin për menaxhimin e PN “Mavrova”, i cili do të duhet të përgatitet pas miratimit të Ligjit për rishpalljen e Mavrovës për park kombëtar. Pas fillimit të procedurës për ndërprerjen e koncesioneve për “Zhirovnica” 5 dhe 6, mbeti kontestues “Ribniçka”, për të cilin nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor vitin e kaluar thanë se do të kërkohet zgjidhje që të ndërtohet jashtë zonave të mbrojtjes së rreptë dhe menaxhimit aktiv. Mirëpo, tani nga atje po bëjnë me dije se as nuk po ndërpritet koncesioni dhe as nuk po kërkohet lokacion tjetër.
Për më shumë se një dekadë hidrocentralet e vegjël në Mavrovë janë raste të cilat i shyrton Konventa e Bernës, me kërkesë të organizatës qytetare “Eko Svest”.
Konventa disa herë miratoi rekomandime, ndërsa dy vite më parë edhe vendim me kërkesë për ndërprerjen e koncesioneve në Mavrovë, në të cilat u përmendën këta tre hidrocentrale të vegjël “Zhirovnica” 5 dhe 6 dhe “Ribniçka”.
“Tashmë disa vite kemi marrë rekomandime të qarta nga Konventa e Bernës për hidrocentralet e vegjël në Mavrovë. Sipas Studimit të Valorizimit Ribniçka hyn në zonën e kuqe të zonës së mbrojtur, ku nuk lejohet ndërtimi. Gjithashtu, Ligji për natyrën, i harmonizuar me legjislacionin europian, që presim të miratohet tashmë prej disa vitesh, gjithashtu e ndalon edhe ndërtimin e kësaj lloj infrastrukture në zonat e mbrojtura. E gjithë kjo do të thotë se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor do të duhet të ngrejë procedurë edhe për ndërprerjen e këtij kocesioni”, thotë Gjorgi Mitrevski nga “Eko Svest”.
Vitin e kaluar kjo organizatë filloi një projekt për monitorimin e gjendjes së lumenjve në parqet “Mavrovë” dhe “Mali sharr”, në të cilët tashmë ka hidrocentrale të vogjël. Për momentin po punohet Metodologjia për rrjedhën ekologjike, e cila duhet të sigurojë një minimum uji në lumenj dhe kushte që bota e gjallë të ketë përparësi ndaj interesit të biznesit të koncesionerëve.