HERA: Nuk na duhen 16 ditë simbolikë, por 365 ditë përgjegjësi

Me rastin e fillimit të iniciativës globale “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës ndaj Grave”, të rinjtë nga grupi vullnetar i HERA-s, Shoqata për Edukim Shëndetësor dhe Hulumtim, sot në hapësirën e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup e prezantuan fushatën e tyre rinore “Feminzëm që dështon / Failed Feminism”, transmeton Portalb.mk.

Kjo fushatë paraqet një reagim kritik ndaj dështimeve shumëvjeçare institucionale në parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore dhe përcjell mesazhin e qartë se kur reformat reduktohen në simbolikë, pasojat i bartin gratë, vajzat dhe komunitetet e margjinalizuara. Përmes videove, rrëfimeve personale, podkasteve dhe ndërhyrjeve gerile, të rinjtë kërkojnë ndryshime të vërteta, jo deklarative.

“Feminzëm që dështon” është një paralajmërim publik se neglizhenca institucionale, mungesa e ambicies politike dhe normalizimi i shpërfilljes së përvojave të grave krijojnë një boshllëk real, të rrezikshëm dhe të kushtueshëm midis barazisë së premtuar dhe asaj reale.

“Fushata u hap me një aksion në kampusin universitar, i cili përmes mesazheve të forta vizuale e shtroi pyetjen: çfarë festojmë saktësisht kur themi se jemi shoqëri e barabartë gjinorisht? Gjatë periudhës së fundit kemi qenë dëshmitarë të shumë femicideve, të cilat, sidomos kur ndodhin pas raportimit të dhunës dhe dështimit të institucioneve për t’i mbrojtur viktimat, paraqesin forma sistemike të dhunës me bazë gjinore dhe diskriminimit, të fshehura pas statistikave që rrallë e tregojnë të vërtetën. Të dhënat dhe përvojat nga terreni paraqesin një realitet krejt ndryshe nga narrativat zyrtare: Institucionet arsimore dhe mediat ende riprodhojnë stereotipe të vjetra. Në arsimin formal ende mungojnë programe mësimore që ofrojnë informacion për parandalimin, njohjen dhe raportimin e dhunës, çrrënjosjen e stereotipeve gjinore, kujdesin seksual e riprodhues, si edhe edukim mbi marrëdhëniet adoleshente,” thuhet në njoftimin e HERA-s.

Ata shtojnë se shërbimet mbrojtëse shpesh janë të paarritshme, të pamjaftueshme ose fare jo funksionale për vajzat dhe grate, veçanërisht ato nga komunitetet e margjinalizuara, pasi pabarazia ekonomike dhe ajo sociale vazhdojnë të përcaktojnë qasjen në siguri, shëndet dhe mundësi.

Aktivistet e reja apeluan fuqishëm për reforma thelbësore dhe zbatim të përgjegjshëm të ligjeve nga institucionet: “Dhuna me bazë gjinore vazhdon të ekzistojë sepse mbetet e padukshme dhe e pandëshkuar, trivializohet në shoqëri.”

FeminizmiShoqata Hera