Helmimi i kafshëve të egra është një praktikë e zakonshme në vend dhe në Ballkan, por pavarësisht kësaj, më pak se 20 për qind e incidenteve të helmimit zbulohen dhe dokumentohen. Sipas Studimit për helimin e shkabave ballkanike të vitit 2022, ndikimi aktual i përdorimit të helmit në natyrë është ndoshta shumë më i madh, duke pasur parasysh se vetëm shtatë specie të egra janë regjistruar, raportuar tek autoritetet dhe janë hetuar si viktima të helmimit të mundshëm në 30 incidente të veçanta. Këta janë kryesisht shkaba, shqiponja, ujqër dhe arinj, gjegjësisht specie të mëdha, transmeton Portalb.mk.
Studimi vëren se praktika e helmimit të kafshëve të egra që nga viti 2000 në vend ka pasur efektin më tragjik në popullatat e shkabave. Dy lloje tashmë janë zhdukur plotësisht, shkaba me mjekër dhe shkaba e zezë, dhe popullatat e shkaba grifon dhe shkaba egjiptiane janë asgjësuar.
Shoqata ekologjike e Maqedonisë informon se gjatë projektit BalkanDetox LIFE, i cili financohet nga programi LIFE i Bashkimit Evropian, përfaqësues nga institucionet tona shtetërore morën pjesë në trajnimet e Akademisë për krime kundër kafshëve të egra në Spanjë, të cilat përfunduan në prill të këtij viti.
“ShEM, së bashku me pjesëmarrësit nga vendi ynë, tani do të mbajë trajnime kombëtare për atë që kemi mësuar në Spanjë. Trajnimet do të organizohen deri në fund të vitit dhe do të fokusohen në sensibilizimin e të gjitha institucioneve që kanë autoritet të reagojnë ndaj helmimit të kafshëve të egra, si dhe vendosjen e rrjeteve lokale mes të njëjtave institucione”, thotë Arta Starova nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë, pjesëmarrëse e Akademisë për krime kundër botës së egër.
Ajo thekson se anëtarët e grupit kombëtar të punës për helmimin e kafshëve të egra po përgatisin një manual që do të përcaktonte procedurat e nevojshme që duhet të ndërmerren nga autoritetet shtetërore të përfshira në hetimin e ngjarjeve të tilla. Institucionet kryesore që duhet të përfshihen në trajnime janë shërbimet vendore të policisë, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Inspektorati Shtetëror i Pyjeve dhe Gjuetisë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe do të ftohen edhe prokurorë dhe gjyqtarë publikë. Starova thekson se është planifikuar trajnim i veçantë për mjekët veterinarë të cilët janë vendimtar në kryerjen e autopsisë dhe analizave toksikologjike të kafshëve të helmuara për të përcaktuar shkakun e ngordhjes së tyre.
“Pjesë kyçe në gjithë hetimin dhe ndjekjen e suksesshme penale janë rezultatet e analizave toksikologjike të kryera, të cilat mund të konstatojnë nëse bëhet fjalë për helmim dhe çfarë lënde është përdorur. Përmes projektit arritëm që Fakultetit të Mjekësisë Veterinare t’i dhurojmë pajisje që të bëjnë analiza toksikologjike të kafshëve të egra të helmuara”, thekson Starova.
Gjatë viteve, shkaba grifon ka qenë deri tani më e prekura nga përdorimet ilegale të helmeve në natyrë. Sipas të dhënave nga Studimi Ballkanik i Helmimit të Shkabave, këta zogj shfaqen në mbi 70 për qind të të gjitha incidenteve të regjistruara dhe 125 specie kanë ngordhur nga kjo praktikë e paligjshme në dy dekadat e fundit. Rrethanat janë të ngjashme për shkabën egjiptiane, ku katë u regjistruan të ngordhura nga helmimi, që është një goditje e rëndë për popullsinë e tyre të vogël.
Nga të dhënat, përfundon studimi, është e qartë se helmi është kërcënimi më i madh për popullsinë në pakësim të shkabave dhe një nga pengesat më të mëdha për rikuperimin e numrit të tyre në vend. Vendosja e karremave helmues është një metodë vrasëse pa dallim dhe pothuajse të gjithë janë të prekshëm ndaj kësaj metode, duke përfshirë edhe personin që vendos karremin. Më shpesh, karrem helmues vendosen për ujqit dhe arinjtë, por edhe si një metodë hakmarrjeje në mosmarrëveshjet në fshatra, për shembull për helmimin e qenëve të arinjve ose të gjuetisë.
Starova thotë se nuk ka një bazë të dhënash kombëtare që mban evidencë për helmimin e kafshëve shtëpiake dhe të egra. Nëpërmjet projektit BalkanDetox LIFE është krijuar një bazë të dhënash online në të cilën janë regjistruar raste të helmimit të raportuara më parë në vendin tonë dhe në vendet e Ballkanit. Vetë mjeti online lejon këdo që të raportojë një rast helmimi.
Inspektorati Shtetëror i Mjedisit është një nga hallkat që do të duhet të veprojë në procesin e dokumentimit dhe zbardhjes së rasteve të helmimit të kafshëve të egra, veçanërisht nëse bëhet fjalë për specie të mbrojtura. Nga atje bëjnë të ditur se përfaqësuesi i tyre e ka përfunduar trajnimin në Spanjë, ndërsa tani do t’i trajnojë tre inspektorët e natyrës.
“Qëllimi është të vendoset një procedurë standarde operimi, të dihet se cilat janë përgjegjësitë e të gjitha institucioneve dhe të vendoset një platformë komunikimi. Rëndësi ka edhe monitorimi qytetar dhe informacioni që vjen nga qytetarët, për të cilin do të duhet të edukohen se ku dhe me kë të kontaktojnë nëse janë dëshmitarë të helmimit të kafshëve të egra”, theksojnë nga IShMJ.