Hekurudha e rikonstruktuar nga Draçeva deri në Ilinden, trenat e mallrave do të ridrejtohen jashtë Shkupit

Ka përfunduar rikonstruksioni i qarkores hekurudhore të Shkupit, përkatësisht i linjës hekurudhore nga Draçeva deri në Ilinden, me çka mundësohet ridrejtimi i trenave të mallrave jashtë Shkupit. Në këtë segment do të zhvillohet ekskluzivisht transporti hekurudhor i mallrave, gjë që pritet të kontribuojë në organizim më të mirë dhe zhvillim të transportit, transmeton Portalb.mk.

Realizimi i këtij projekti do të ndihmojë edhe në mbrojtjen e mjedisit dhe në uljen e ndotjes në Shkup, duke pasur parasysh se trenat e mallrave nuk do të hyjnë më në qytet.

“Në këtë moment është duke u zhvilluar periudha e testimit, për të cilën është e nevojshme të bëhet pranimi teknik dhe pres që brenda rreth njëzet ditësh trenat e mallrave ta përdorin këtë segment. Kjo do të thotë shumë për mbrojtjen e mjedisit dhe për uljen e ndotjes në Shkup nga njëra anë, por nga ana tjetër do të nënkuptojë transport më të shpejtë të mallrave në Korridorin 10, që do të thotë më shumë biznes dhe më shumë kompozicione hekurudhore në hekurudhat e Maqedonisë, gjë që do të kontribuojë shumë në zhvillimin e biznesit dhe të gjithë transportit”, tha ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

Ai njoftoi se nga shtatori do të vihet në përdorim edhe treni urban, me linjën e parë që do të qarkullojë nga Zelenikova, përmes Draçevës, deri në qendër të Shkupit.

HekurudhaJP Hekurudhat e Maqedonisë së VeriutMinistria e Transportit (MT)