Në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit në Maqedoninë e Veriut, skenari i viteve të kaluara po përsëritet: partitë politike, sërish, kanë dështuar të propozojnë gra për kryetare komunash. Paritë shqiptare nuk kanë promovuar asnjë kandidate grua, situata nuk është e mirë as te partitë maqedonase. Shoqëria civile alarmon se ky boshllëk i plotë në përfaqësimin politik të grave tregon jo vetëm mungesën e vullnetit politik për barazi gjinore, por edhe regresin e vazhdueshëm në demokraci dhe përfaqësim të drejtë, shkruan Portalb.mk.
Barazia gjinore vazhdon të mbetet vetëm fasadë në fjalimet dhe zotimet e partive politike. Sipas kandidaturave të deritanishme, gratë do të jenë të nënpërfaqësuara si kandidate për kryetare të komunave në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë.
Dy koalicionet shqiptare, VLEN nga pushteti dhe Aleanca Kombëtare për Integrim nga opozita tani më kanë promovuar shumicën e kandidatëve për kryetarë komunash, dhe asnjë nga kandidatët nuk është grua.
Deri më tani, më mirë me numrin e kandidateve gra qëndron LSDM–ja opozitare. Ata kanë disa kandidate për kryetare komunash, edhe atë: ish ministrja e Mjedisit Kaja Shukova do të garojë për Qytetin e Shkupit, Maja Mojsova Mijovska në Karposh, Elizabeta Zelenikovska në Petrovec, Petra Lukaroska në Prilep, Mariçe Karmaziçeva në Bosilievë dhe Lupka Skollovka për Karbincin.
Nga VMRO-DPMNE ja në pushtet Natalija Dimitrieva do të garojë për Demir Kapinë.
Kandidate për kryetare të Komunës Qendër do të jetë edhe ish-kryetarja e Antikorrupsionit Biljana Ivanovska, nga radhët e inciativave qytetare të Platformës “Të pavarurit së bashku”.
Sipas drejtoreshës së Institutit për Lidership dhe Politika Publike, Pranvera Kasamit gjendja aktuale me kandidaturat për kryetarë komunash si te partitë shqiptare ashtu te ata maqedonase, është dështim i qartë i partive politike.
“Kjo tregon se barazia gjinore shpesh mbetet vetëm në deklarata, ndërsa në praktikë gratë përjashtohen nga garat për pozitat më të larta. Partitë duhet të marrin përgjegjësi dhe të krijojnë kushte reale që gratë të kandidojnë e të udhëheqin, jo të përdoren si numra për kuotat. Demokracia nuk mund të jetë e plotë kur gjysma e popullsisë mbetet jashtë vendimmarrjes”, tha Kasami.
Edhe për Qendrën për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” kjo është tregues i qartë i dështimit sistematik për të garantuar përfaqësim të barabartë gjinor në politikë.
“Kjo nuk është thjesht mungesë vullneti individual, por pasqyrë e një kulture politike që vazhdon të margjinalizojë gratë dhe t’u mbyllë atyre dyert e vendimmarrjes. Pa gra në garë, demokracia mbetet e cunguar dhe interesat e gjysmës së popullsisë mbeten të papërfaqësuara”, thanë nga Mollëkuqja.
Nga kjo organizatë bënë thirrje që partitë politike të tejkalojnë alibitë e zakonshme dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar që gratë të kenë hapësirë reale, jo simbolike, për të kandiduar e për të udhëhequr.
Kujtojmë se në zgjedhjet e kaluara lokale në 2021 vetëm dy gra u zgjodhën për kryetare komunash, Danella Arsovska në Qytetin e Shkupit dhe Zhaklina Jovanovska në Staro Nagoriçan.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 rezultati ishte më i mirë, gjashtë gra u zgjodhën për kryetare komunash.
RMV-ja nuk qëndron mirë me përfaqësimin e grave as në ekzekutiv. Nga 24 ministra, vetëm 3 janë gra, asnjëra shqiptare.
Në Kuvend situata qëndron më mirë për shkak të kuotave, ku nga 120 deputetë mbi 40 janë gra.
Maqedonia e Veriut në vitin 2024 për herë të parë në histori zgjodhi për presidente një grua, Gordana Siljanovska Davkovën.
- LEXO: Ngërçe të (pa)zgjidhura, RMV-ja nuk e fitoi betejën për barazi gjinore as në 2024
- LEXO: KE-ja e tha qartë në raport: Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në avancimin e barazisë gjinore
- LEXO: Është lënë në harresë Sekretariati për Barazi Gjinore, asnjë sinjal nga pushteti i RMV-së
- LEXO: Regres: Gratë edhe në qeverinë e Mickoskit mbetën të lëna anash, asnjë grua shqiptare ministre