Gjykata më e lartë në botë: Mianmari kreu akte gjenocidi ndaj pakicës Rohingya

Mianmari kreu akte gjenocidi ndaj pakicës Rohingya gjatë operacioneve të ashtuquajtura të “pastrimit”, gati një dekadë më parë, konstatoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND). Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), gjykatës më të lartë në botë, i jep fund një beteje ligjore shtatëvjeçare dhe konsiderohet si një test i rëndësishëm global për trajtimin e krimeve më të rënda që mund të kryejë një shtet, raporton The Guardian.

“Gjykata është plotësisht e bindur se Mianmari ka kryer akte që bien në kuadër të Konventës për Gjenocidin, me qëllim shkatërrimin e një pjese të konsiderueshme të popullsisë Rohingya në Mianmar”, tha kryetari i GJND-së, Yuji Iwasawa, gjatë leximit të vendimit.

Një fushatë e ushtrisë së Mianmarit gjatë viteve 2016–2017 detyroi më shumë se 700 mijë pjesëtarë të komunitetit Rohingya, kryesisht myslimanë, të largoheshin përtej kufirit drejt Bangladeshit. Refugjatët mbërritën me dëshmi për vrasje masive të të rriturve dhe fëmijëve, përdhunime në grup dhe fshatra të djegura.

Qeveritë në mbarë botën e kanë pritur me shqetësim vendimin, i cili u dha në Hagë të Holandës, ku ndodhet gjykata e OKB-së. Kjo edhe për shkak se vendimi do të krijojë një precedent për rastet e pretendimeve për gjenocid, veçanërisht për çështjen e bujshme kundër Izraelit.

Gjenocidi, i përkufizuar pas Holokaustit nazist përmes një konvente të OKB-së të vitit 1948, është më i vështirë për t’u dëshmuar sesa krimet e luftës, pasi kërkon prova për qëllimin specifik të shkatërrimit të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar.

Çështja kundër Mianmarit u ngrit nga Gambia, një shtet me shumicë myslimane, në emër të të mbijetuarve nga Mianmari. Ajo u mbështet në pretendimet për deklarata gjenocidale dhe “modele të sjelljes” që dëshmonin përpjekjet për shkatërrimin e këtij komuniteti gjatë sulmeve në shtetin Rakhine. Këto përfshinin vrasjen me armë zjarri të njerëzve që po përpiqeshin të largoheshin dhe pengimin e kthimit të tyre.

Në janar, GJND-ja mbajti seanca me dyer të mbyllura për të dëgjuar dëshmitë e të mbijetuarve që udhëtuan nga kampet e refugjatëve në Bangladesh. Më shumë se një milion pjesëtarë të komunitetit Rohingya vazhdojnë të jetojnë atje, në vendbanimin më të madh të refugjatëve në botë, ndërsa vlerësohet se më pak se 600 mijë kanë mbetur në Mianmarin me shumicë budiste.

Refugjatët që u larguan drejt Bangladeshit i treguan gazetës “The Guardian” në vitin 2017 për një masakër në fshatin Tula Toli. Të mbijetuarit përshkruan vrasjen sistematike të civilëve, varrezat masive dhe mbytjen e fëmijëve në lumë. Pamjet satelitore të publikuara më vonë konfirmuan se fshati ishte djegur. Ky ishte njëri nga disa fshatrat e analizuara nga hetuesit për të drejtat e njeriut, të cilat ndihmuan në ndërtimin e rastit për gjenocid.

Gjatë seancave dëgjimore, ministri i Drejtësisë i Gambias, Dawda Jallow, tha se çështja nuk kishte të bënte me “çështje abstrakte të së drejtës ndërkombëtare”.

“Bëhet fjalë për njerëz të vërtetë, histori të vërteta dhe një grup të vërtetë qeniesh njerëzore. Për Rohingyat e Mianmarit. Ata janë vënë në shënjestër për t’u shkatërruar”, tha Jallow.

Ekspertët ligjorë e konsiderojnë vendimin e së enjtes si një test të rëndësishëm për trajtimin e dhunës seksuale në vlerësimin e gjenocidit. Konventa përcakton se ky krim mund të përfshijë edhe veprime me qëllim “parandalimin e lindjeve”. Hetuesit kanë deklaruar se përdhunimet në grup dhe rastet kur ushtarët kanë gjymtuar organet gjenitale të grave janë kryer qëllimisht dhe në mënyrë sistematike, me synimin për të penguar riprodhimin.

Mianmari ka mohuar kryerjen e gjenocidit dhe pretendon se veprimet e tij kishin në shënjestër një grup militant Rohingya, i cili kishte kryer sulme të armatosura. Ushtria e vendit ishte përgjigjur me operacione masive të “pastrimit”.

Udhëheqësi i vendit, Min Aung Hlaing, i cili drejtonte ushtrinë gjatë sulmeve të viteve 2016–2017, ka një urdhërarrest në pritje nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP), e cila ndjek penalisht individë dhe jo shtete, siç është rasti me GJND-në. Ai dyshohet për krime kundër njerëzimit.

Ish-gjenerali rrëzoi me grusht shteti në vitin 2021 qeverinë e zgjedhur të Aung San Suu Kyi, duke shkaktuar një luftë civile që ka lënë dhjetëra mijëra të vrarë. Në prill, ai u vendos në postin e presidentit civil pas zgjedhjeve që u diskredituan gjerësisht.

Edhe pse GJND-ja nuk ka kompetenca për të zbatuar vendimet e saj me forcë, vendimet e saj janë ligjërisht të detyrueshme, kanë peshë diplomatike dhe mund të ndikojnë në veprimet ndërkombëtare, përfshirë vendosjen e sanksioneve.

Izraeli dhe aleati i tij kryesor, Shtetet e Bashkuara, e kanë ndjekur nga afër rastin e Mianmarit, pasi vendimi ofron një tregues të rëndësishëm se si gjyqtarët mund ta vlerësojnë çështjen për Gazën, të ngritur nga Afrika e Jugut. Hetimet e pavarura të OKB-së, si dhe studiues të gjenocidit, kanë deklaruar tashmë se Izraeli ka kryer akte gjenocidi në Gaza.

Parashikimet se GJND-ja do të konstatonte se Mianmari ka shkelur Konventën për Gjenocidin kanë ngritur mundësinë që SHBA-ja të vendosë sanksione ndaj gjyqtarëve të kësaj gjykate, përfshirë edhe fituesen e Çmimit Nobel për Paqe të këtij viti, Navi Pillay.

Uashingtoni e kishte cilësuar krizën e Rohingyave si gjenocid, bazuar në një vendim të administratës së Joe Biden. Megjithatë, administrata e Donald Trump ka ndërmarrë veprime kundër institucioneve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Dy raste të tjera të trajtuara nga GJND-ja, që kishin të bënin me mizoritë gjatë luftërave të viteve 1990 në Ballkan, nuk arritën në përfundimin se shtetet ishin drejtpërdrejt përgjegjëse për gjenocid. Megjithatë, Serbia u shpall ligjërisht përgjegjëse për mosparandalimin dhe mosndëshkimin e gjenocidit të kryer nga trupat serbe të Bosnjës gjatë masakrës së Srebrenicës.

Tribunalet e tjera të OKB-së kanë konstatuar gjenocid vetëm në disa raste që nga Holokausti, përfshirë regjimin e Kmerëve të Kuq në Kamboxhia gjatë viteve 1970 dhe vrasjet masive të vitit 1994 në Ruandë.

MianmarMuslimanë