Gjykata Evropiane e Auditorëve

Për kontrollin (auditimin) financiar kemi dëgjuar shumë vitet e fundit. Termi “audit” është i huaj dhe ka të bëjë me procedurat financiare për të kontrolluar të mirat dhe të këqijat në një institucion. Zakonisht, auditimi vjen prej niveleve të larta nga agjencitë qeveritare të cilat me ligj janë të detyruara ta bëjnë këtë. Edhe në Ballkan, kemi zyra auditimi, se a punojnë mirë apo keq çështja duhet të ndiqet. Megjithatë, me dëshirën e shteteve ballkanike për t’u dukur të ngjashme me vendet e BE-së, auditimi duhet të kryhet sipas standardeve të BE-së. Para se të kalojmë në vështirësitë e auditimit në shtetet e Ballkanit, në BE ekziston Gjykata Evropiane e Auditorëve që ka për mision të bëjë kontrollimin e fondeve të BE-së nëse ato janë mbledhur dhe përdorur në mënyrë korrekte.

Nuk duhet harruar se menaxhimi i mirë financiarë, gjithsesi se sjell një auditim të drejtë dhe pa shqetësime për institucionet qofshin shtetërore apo private. Kur jemi tek Kolegji i Gjykatës Evropiane të Auditorëve të BE-së, duhet thënë se ky kolegj sipas dokumenteve të themelimit përbëhet nga anëtarë individualë të caktuar nga secili shtet anëtarë i BE-së. Gjykata Evropiane e Auditorëve është themeluar në vitin 1975 në Luksemburg si një nga shtatë institucionet e BE-së, duke u bazuar në Traktatin buxhetor të vitit 1975. Në dokumentin themelues më tej thuhet se “Gjykata Evropiane e Auditorëve synon të vlerësojë ekonominë, efikasitetin, ligjshmërinë dhe rregullsinë e veprimeve të BE-së për të përmirësuar përgjegjshmërinë, transparencën dhe menaxhimin financiar, duke rritur besimin e qytetarëve”. Po sipas dokumentit të themelimit, Gjykata Evropiane e Auditorëve më tepër shihet si një “agjenci” profesionale e auditimit të jashtëm. Po sipas akteve të themelimit, roli kryesorë i Gjykatës Evropiane të Auditorëve, është të bëjë kontrollimin nga jashtë nëse buxheti i BE-së shpenzohet drejtë.

Duke vepruar kështu, Gjykata Evropiane e Auditorëve ka për të detyrë të kontrollojë dokumentacionin e shpenzimeve financiare të institucioneve të BE-së. Padyshim se me njësitë e veta, specialistët financiar të Gjykatës Evropiane të Auditorëve kanë obligim ligjor të bëjnë edhe kontrolle të shpejta financiare. Kur jemi tek puna e Kolegji të Auditorit, që nga themelimi ka pasur suksese duke gjetur probleme në menaxhimin e fondeve të BE-së brenda unionit dhe jashtë. Që nga vitit 1975 përveç të arriturave në fushën financiare, Gjykata Evropiane e Auditorëve është ballafaqur edhe me kritika nga politikanë dhe parlamentarë të BE-së. Për lexuesit tanë është me rëndësi të nënvizojmë se specialistët financiarë të Gjykatës Evropiane të Auditorëve ndahen në grupe specialistësh të cilët inspektojnë dhe përgatisin raporte që Gjykata Evropiane e Auditorëve të marrë vendime. Hartojnë raporte për Komisionin, Këshillin dhe Parlamentin e Evropës. Inspektimet i bëjnë jo vetëm ndaj institucioneve të BE-së, por ndaj çdo shteti që merr fonde nga BE.

Kështu Gjykata Evropiane e Auditorëve ka një bashkëpunim të mirë me shtetet anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Kur ekspertët financiarë dyshojnë për keqpërdorime financiare, ata kanë për detyrë të informojnë Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF). Në tetor të vitit 2024, Gjykata Evropiane e Auditorëve, njoftoi se gabimet në buxhetin e vitit 2023 prej 240 miliardë eurosh të BE-së u rritën në 5.6%. Në vitin 2023, Gjykata Evropiane e Auditorëve raportoi 20 raste në OLAF. Gjithashtu Gjykata Evropiane e Auditorëve njoftoi se programi kryesor i BE-së për industrinë e mbrojtjes prej 1.5 miliardë euro, (EDIP), nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të përmbushur objektivat e tij. Gjykata Evropiane e Auditorëve lëshon opinone të ndryshme në fusha të ndryshme si në industrinë e ushqimit.

Në një vlerësim të fundit, Gjykata Evropiane e Auditorëve pretendoi se konsumatorët evropianë janë në rrezik të mashtrohen nga një numër në rritje i etiketave ushqimore konfuze dhe mashtruese. Në Ballkan, për shkak të sistemit të mëparshëm dhe sfidave në ndërtimin e institucioneve të lira dhe të përgjegjshme, zyrat e auditimit janë të motivuar politikisht dhe financiarisht, gjë që e lë të ardhmen e kësaj fushe në një situatë shumë të keqe. Prandaj, për shkak se vendet aspirojnë të anëtarësohen në BE, duhet të bëjnë reforma edhe në agjencitë shtetërore të auditimit. Institucionet e auditimit në vende të ndryshme kanë emra të ndryshëm p.sh. në Maqedoninë e Veriut quhet Zyra e Kontrollit Shtetëror, në Gjermani quhet Bundesrechnungshof, ndërsa në SHBA institucioni përgjegjës quhet Zyra e Përgjegjësive të Qeverisë së SHBA-ve (GAO).

Ndërsa lufta politike ka vazhduar në SHBA, Departamenti aktual i Shërbimeve Digjitale është transformuar ose markuar me Departamentin e Efiçencës Qeveritare (DOGE) i cili përpiqet të luajë një rol të madh në financat qeveritare, hetimet në abuzimet me paratë e taksapaguesve amerikanë. Në fund duhet thënë se gjëja më e mirë që mund të bëjnë vendet është të kenë zyra auditimi me cilësi të lartë si përfaqësim i shtetit të së drejtës dhe drejtësisë financiare. Kryetar aktual i Gjykatës Evropiane të Auditorëve është Toni Murfi, i cili e ka marrë detyrën në vjeshtë të 2022-ës.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi