Qeveria ka miratuar nismat e para të paketës së re ligjore kundër dhunës, të prezantuar pas protestave të dhunshme. Masat parashikojnë rritjen e gjobave për shkeljet gjatë tubimeve, kufizime të përkohshme në zona të caktuara, regjistrimin audiovizual të paralajmërimeve të policisë dhe krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale të kryera me dhunë gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve publike, raporton Euronews.
Sipas ndryshimeve në ligjin për tubimet, pjesëmarrja në një tubim të ndaluar do të dënohet me gjobë nga 10 000 deri në 100 000 lekë. Në të njëjtën masë do të dënohet edhe fshehja e identitetit, ndërsa mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit do të dënohet me gjobë nga 10 000 deri në 100 000 lekë, ose nga 20 000 deri në 200 000 lekë, në varësi të rastit.
Kur personi ndaj të cilit është dhënë urdhri i shpërndarjes ka identitet të fshehur, gjoba parashikohet nga 50 000 deri në 500 000 lekë. Ndërkohë, bllokimi i rrugëve automobilistike ose i akseve rrugore gjatë tubimeve, kur pengohet qarkullimi i mjeteve dhe veprimi nuk përbën vepër penale, dënohet me 5 000 lekë për çdo ditë bllokimi dhe për çdo person që merr pjesë në të.
Policia mund të kufizojë përkohësisht tubimet në zona të caktuara
Ndryshimet ligjore parashikojnë mundësinë që drejtuesi i drejtorisë vendore të policisë, me miratimin e prefektit, të ndalojë ose të kufizojë tubimet në një perimetër të përcaktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore, për një periudhë jo më të gjatë se 72 orë.
Kjo masë mund të merret kur ekziston një rrezik real, serioz dhe i afërt për dhunë ndaj personave ose për dëmtime të rënda të pronës, i bazuar në fakte konkrete. Vendimi duhet të përcaktojë perimetrin, kohëzgjatjen dhe arsyet e kufizimit, si dhe të publikohet përpara se të zbatohet. Ai mund të rinovohet vetëm një herë, përmes një vendimi të ri të arsyetuar.
Personat e interesuar mund ta ankimojnë vendimin në gjykatën administrative, e cila duhet të vendosë brenda 48 orëve. Ankimi nuk e pezullon zbatimin e vendimit, përveç rasteve kur gjykata vendos ndryshe.
Kufizimi nuk mund të përfshijë të gjithë territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore. Ai nuk zbatohet as ndaj të miturve të shoqëruar nga prindi, kujdestari ligjor ose një i rritur përgjegjës, kur kalojnë nëpër perimetrin e përcaktuar për të shkuar ose për t’u kthyer nga shkolla, banesa, institucionet shëndetësore e të përkujdesjes sociale, apo veprimtari edukative, kulturore dhe sportive.
Në paketë përcaktohen gjithashtu zonat e mbrojtura, ku përfshihen stacionet, terminalet dhe mjetet e transportit publik, portet dhe aeroportet, perimetrat rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe zona të tjera të përcaktuara me vendim të këshillit bashkiak, ku janë dokumentuar vepra të përsëritura kundër personit ose pronës.
Në këto zona, punonjësi i Policisë së Shtetit mund t’i urdhërojë një personi të largohet për një periudhë deri në 48 orë, kur sjellja e tij konkrete përbën kanosje, ngacmim të përsëritur, dhunë ndaj personave, dëmtim të pronës ose pengim me dhunë të aksesit dhe përdorimit të zonës.
Urdhri duhet të jepet me shkrim, të përmbajë faktet dhe arsyet mbi të cilat mbështetet, si dhe të përcaktojë zonën dhe kohëzgjatjen e masës. Ai nuk zbatohet për vendbanimin, vendin e punës, institucionin arsimor, institucionin shëndetësor ku personi trajtohet dhe zyrën e avokatit. Po ashtu, urdhri nuk mund të jepet për shkak të pjesëmarrjes në një tubim paqësor, karakteristikave personale, statusit social, kombësisë, pamjes ose vetëm për shkak të precedentëve penalë.
Parashikohen masa për thirrjet për dhunë në rrjetet sociale
Ndryshimet në ligjin për tubimet parashikojnë edhe procedura për rastet kur, nëpërmjet rrjeteve sociale, postës elektronike ose komunikimeve telefonike, publikohen apo shpërndahen mesazhe me thirrje për dhunë në kuadër të organizimit ose zhvillimit të një tubimi.
Në këto raste, pasi të identifikojë llogarinë, adresën elektronike ose numrin e telefonit nga i cili është kryer komunikimi, Policia e Shtetit i dërgon personit një njoftim përmes të njëjtit kanal, duke i kërkuar fshirjen e përmbajtjes dhe mospërsëritjen e veprimeve. Në njoftim, policia duhet ta informojë personin se veprimet përbëjnë shkelje të legjislacionit në fuqi.
Policia i ofron gjithashtu mundësinë për të përfituar mbështetje psikologjike ose trajtime të tjera të specializuara, kur vlerësohet se ka nevojë për to. Nëse përmbajtja nuk fshihet ose veprimet përsëriten, policia ndërmerr masat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.
Një tjetër ndryshim parashikon që Policia e Shtetit të regjistrojë me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimit, si dhe aktet e dhunës ndaj personave ose dëmtimet e pronës gjatë tij. Regjistrimet do të ruhen dhe përpunohen në përputhje me ligjin për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga dhuna dhe dëmtimet e pronës gjatë tubimeve në hapësirën publike, si dhe me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Regjistër elektronik për personat e referuar ose nën hetim
Një tjetër masë e miratuar është krijimi dhe funksionimi i një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale kundër autoritetit shtetëror, rendit dhe sigurisë publike, kur faktet përfshijnë veprime të dhunshme ndaj jetës, shëndetit të personave ose pronës publike dhe private gjatë grumbullimeve e manifestimeve publike.
Regjistri do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe do të përmbajë të dhënat e personave të identifikuar në materialet e referuara nga policia në prokurori, për të cilët janë dokumentuar veprime konkrete të dhunshme.
Në të do të përfshihen të dhëna identifikuese dhe procedurale, burimi i informacionit, data e regjistrimit, historiku i përditësimeve, numri i referimit, data e ngjarjes dhe masat kufizuese në fuqi, nëse janë njoftuar të tilla. Të dhënat do të sigurohen edhe përmes ndërveprimit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe sistemet përkatëse elektronike të Policisë së Shtetit.
Policia Kufitare dhe e Migracionit do të ketë akses të kufizuar në regjistër, vetëm për verifikime kufitare dhe zbatimin e masave kufizuese të parashikuara me ligj. Kur nga verifikimi individual rezultojnë të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme gjatë manifestimeve dhe grumbullimeve publike, policia kufitare mund të refuzojë administrativisht daljen jashtë shtetit, edhe kur ndaj personit nuk është vendosur masë sigurie për ndalimin e largimit.
Në rastet kur personit nuk i refuzohet dalja, autoritetet kufitare njoftojnë autoritetet e vendit ku ai do të udhëtojë. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të njoftojë gjithashtu personat fizikë dhe juridikë privatë që kanë struktura akomoduese për personat për të cilët ka të dhëna konkrete mbi pjesëmarrjen në veprimet e dhunshme dhe për të cilët materialet përkatëse i janë referuar prokurorisë.
Nevoja për ruajtjen e të dhënave të personave të referuar do të rishikohet brenda 30 ditëve nga regjistrimi. Nëse prokuroria kompetente njofton se nuk do të fillojë procedimi penal ose se çështja është pushuar, të dhënat e personit do të fshihen nga regjistri.
Përpunimi dhe shkëmbimi i të dhënave duhet të kryhen në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar konfidencialitetin, kufizimin e aksesit, gjurmueshmërinë dhe proporcionalitetin.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.