Gjithsej 37 zjarre janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në RMV, tre ende aktiv

Gjatë 24 orëve të fundit, përkatësisht deri në orën 07:30 të mëngjesit, në territorin e shtetit janë regjistruar gjithsej 37 zjarre në hapësira të hapura, njofton Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK). Sipas raportit, tre prej tyre janë ende aktive, një është vënë nën kontroll, ndërsa 33 të tjerat janë shuar, transmeton Portalb.mk.

Ndër zjarret aktive është edhe ai pranë fshatit Çanishta në rajonin e Prilepit, i cili dje pasdite u përhap në dy drejtime: njëri drejt fshatit Zoviq, ndërsa tjetri drejt fshatit Krushevicë, duke përfshirë bimësi të ulët. Vija e zjarrit, siç njoftoi mbrëmë Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ndodhej në mes të dy fshatrave dhe kishte arritur një gjatësi prej disa kilometrash. Për këtë arsye, në shuarjen e zjarrit janë angazhuar ekipe të shumta zjarrfikëse nga disa qytete.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, vonë mbrëmë informoi se zjarrfikësit kishin arritur ta ndalonin zjarrin dhe ta tërhiqnin nën rrugë, duke zvogëluar kështu rrezikun për fshatin Krushevicë.

Sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave, aktive janë edhe zjarret në territorin e Komunës së Studeniçanit, në zonën mes fshatrave Morane, Vrtekicë dhe Ramni Gaber, ku po digjet pyll i përzier, si dhe zjarri pranë vendit Vidush dhe fshatrave Dragov Dol dhe Lokvicë, në territorin e Komunës së Makedonski Brodit. Në këto zona, zjarri ka përfshirë bimësi të ulët, pyje me shkurre dhe kaçube.

Nën kontroll, siç njoftoi QMK-ja këtë mëngjes, është vënë zjarri në deponinë në Dellçevë, e cila po digjet prej disa ditësh.

Nga zjarret e shuara, dy kanë qenë në territorin e Komunës së Gjorçe Petrovit, dy në rajonin e Sarajit, dy në Shtip, nga tre në Dollnen, Kërçovë dhe Gostivar, ndërsa nga një në Aerodrom, Haraçinë, Mogillë, Novaci, Radovish, Strumicë, Çashkë, si dhe një zjarr që ishte në territorin e Velesit dhe Zelenikovës.

Ekipet zjarrfikëse kanë arritur të shuajnë gjithashtu zjarret në Vinicë, Koçan, Likovë, Kratovë, Staro Nagoriçan, Rankovcë, Brvenicë, Tetovë dhe Jegunovcë, i cili ishte përhapur edhe në rajonin e Shkupit, ku kishte përfshirë një pjesë të Komunës së Sarajit.

Qendra për Menaxhimin e Krizave u bën apel qytetarëve që të jenë maksimalisht të kujdesshëm dhe të sillen me përgjegjësi, veçanërisht gjatë qëndrimit dhe lëvizjes në natyrë, si dhe të mos përdorin zjarr në ambiente të hapura.

Nëse vërehet zjarr, ai duhet të raportohet menjëherë në numrin 112.

Kujtojmë se Qeveria ka shpallur gjendje të krizës në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut deri në fund të gushtit për shkak të rritjes së rreziqeve dhe kërcënimeve nga zjarret në hapësira të hapura dhe zjarret pyjore. Ndërkohë Instituti i Shëndetit Publik (IShP) u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin masa për mbrojtje nga vala e të nxehtit.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut, viteve të kaluara është përballur me shumë zjarre. Gjatë muajit gusht dhe shtator të vitit të kaluar u raportuan një sërë zjarresh.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim RMVQendra për Menaxhim me Kriza (QMK) RMVZjarrZjarrfikës