Rreth një muaj bota po përballet me riaktualizimin e luftës në formë e vet më bizare. Dhë sërish Lindja e Mesme, ku dy pole militare po përftyten, Irani nga njëra anë dhe Izareli-ShBA-të nga ana tjetër. Vdekja dhe shkatërrimet për njerëzit atje dhe stresi për ne këtu janë simbolet që e shënojnë këtë momentum të kalendarit me skena apokaliptike. Nafta, gazi, përfitimet, lufta bërthamore në horizont janë pjesë e terminologjisë së interpretuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare. Dhe me të zgjuar të ditës së shtunë, më ra ndërmend libri që kemi përkthyer para disa viteve që shtron një pyetje shumë domethënëse: “A mundet të eliminohet lufta?”
Historia, përveçse është skenë e emanimit të vlerave, dashurisë, respektit, marrëveshjes, bashkëpunimit, koherencës e kohezionit, është edhe fushë e antinomive: jetë-vdekje, luftë-paqe, përkohësi-përhershmëri, sundim-nënshtrim (Laušević, 2021). “Bëni dashuri, jo luftë!” – ishte shënuar në një poster pacifist të kundërkulturës amerikane të viteve 1960, por gjeni i luftës (war gene) dhe fryma hobbesiane, empirikisht, duken si shoqëruese të pandashme të njeriut dhe shoqërisë së tij. Lufta paraqet një problem të njerëzimit nga zanafilla e deri më sot, një dukuri e ngulitur thellë në “shprehitë dhe bindjet e njeriut” (Kennan, 1987). Gjetjet flasin se, nga 3.400 vitet e kaluara, njerëzit kanë jetuar në paqe vetëm 268 vjet, vetëm 8% të historisë së regjistruar. Pra, pjesa dërrmuese e kësaj periudhe të historisë së njerëzimit është kaluar në luftë. Vetëm në luftërat e shekullit XX janë vrarë 108 milionë njerëz (Hedges, 2003).
Me çështjen e luftës merret edhe libri i profesorit, filozofit dhe politologut të mirënjohur britanik, nga prestigjiozi LSE (London School of Economics, Londër), Cristopher Coker, “A mund të eliminohet lufta?”, një fjali pyetëse, përgjigjja e së cilës kërkohet në gjashtë kapitujt e kësaj vepre (Evolucioni, Kultura, Teknologjia, Gjeopolitika, Paqja dhe Humaniteti), ku elaborohet ndikimi i luftës në kontekstin human dhe qytetërimor nga perspektiva kulturore, sociologjike, teknologjike dhe politike. Autori, që mban firmën edhe të veprave War and the Illiberal Conscience (Lufta dhe ndërgjegjja iliberale, 1994), The Twilight of the West (Muzgu i Perëndimit, 1998), Ethics and the War in the 21st Century (Etika dhe lufta në shekullin XXI), Rebooting Clausewitz (Të restartosh Clausewitz-in, 2017), Why War? (Pse lufta?, 2021) e të tjera, në këtë tekst, ku problematizon një çështje madhore, pohon se me gjasë fundi i luftës nuk do të ndodhë, se ajo nuk do të eliminohet, se do të vazhdojë të na përshkojë si lloj, por në çdo konflikt të së ardhmes fituesit do ta pësojnë po aq sa humbësit. Pra, lufta, në të ardhmen, nuk do të jetë “aventurë” e leverdishme.
Sipas autorit, lufta – në fakt – është pjesë e asaj që ne jemi, e identitetit tonë dhe ideja e ndërprerjes së saj është naive. “Ai e sheh luftën jo si një rikthim vicioz, jofunksional në kohë më primitive, pararacionale, por si një tipar thelbësor të shoqërive njerëzore” (Freeman, 2014). Dikur ajo është zhvilluar ballë për ballë, ka qenë fizike, gjeografike, ndërsa sot – përmes teknologjisë – ka kaluar në një përmasë tjetër, nga distanca, zhvillohet nga zyrat, përmes robotëve dhe dronëve, është virtualizuar përmes video-lojërave, të cilat i japin një kuptim të ri asaj, përfshirë edhe devalvimin e nocioneve të sakrificës dhe heroizmit. Sidoqoftë, edhe përkundër këtyre zhvillimeve teknologjike marramendëse, lufta e ruan aktualitetin e saj si element fundamental i shoqërisë sonë (Jones, 2014), madje përkundër vijës tradicionale të Pax vobiscum dhe es-sulh, ajo na rri mbi kokë, na kërcënon vazhdimisht. Coker-i është skeptik ndaj ideve si moraliteti universal dhe maturimi etik (Kant) ose “zhvillimi psikologjik i njeriut” (Einstein), që mund ta eliminojnë luftën. Coker-i e shfrytëzon idenë se shteti-komb po ia lëshon vendin shtetit-treg, kjo me privatizim të pjesshëm të luftës dhe me nevojën në rënie të patriotizmit. Sipas tij, hapësira kibernetike mund ta relativizojë fuqinë e nacionalizmit deri në rrafshin e besnikërisë ndaj një brendi, të një tifozi ndaj një klubi futbollistik lokal.
Kjo vepër polivalente merret me rrënjët, aktualitetin dhe ardhmërinë e luftës dhe ideologjisë së militarizmit. Libri është vëllimvogël, por me refleksione të një erudicioni dhe largpamësie intelektuale, që nxit një stërvitje mentale lidhur me fatin tonë të përshkuar me lëkundje të natyrave të ndryshme, mes tjerash edhe të përplasjeve fisnore, etnike, fetare e të tjera. Lexojeni për të mësuar rreth shkakësisë dhe pasqyrimeve të luftës si dukuri omniprezente nga e kaluara deri më sot me përmasa lokale dhe globale. Gjithnjë duke menduar rreth përpjekjeve tona si individë për ta hequr, zhbërë këtë shëmti që na prish disponimin, rehatinë dhe që na çon vetëm mbrapa. Ta përmbyllim me parullën e John Lennon-it, “Give peace a chance” (Jepini një shans paqes), një apel artsitik dhe filozofik për të prioritizuar diplomacinë, empatinë dhe mosdhunën mbi konfliktin.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.