Miratimi i ligjit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbetet në sirtaret e Kuvendit duke pritur marrëveshje politike për miratimin e saj. Kryeparlamentari, Afrim Gashi, thotë se procedura do të vazhdojë kur të krijohen kushtet politike për këtë. Ai theksoi se partitë politike janë duke punuar për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët, shkruan Portalb.mk.
Gashi tha se ligji tashmë është në procedurë parlamentare, por për vazhdimin e tij nevojitet marrëveshje politike. Sipas tij, dialogu duhet të vazhdojë dhe palët duhet të mbeten të hapura për bisedime.
“Ligji është në njërën nga seancat dhe do të vazhdojë kur të ketë kushte për të vazhduar. Po punojmë për të gjetur zgjidhje. Të dhënat e fundit nga viti i kaluar tregojnë rritje të numrit të pjesëtarëve të komuniteteve në administratë edhe pas shfuqizimit të Balancuesit.”, deklaroi Gashi.
Nga ana tjetër, BDI-ja gjatë javës që kaloi, kritikoi pushtetin që gjatë punësimeve në Spitalin e Kumanovës, ka anashkaluar përfaqësimin etnik dhe adekuat. Sipas tyre, 90 me 0 ka qenë bilanci gjatë punësimeve të reja në spitalin e Kumanovës. Ata kanë kërkuar hetim institucional nga inspektoratet dhe Prokuroria për të zbardhur se si dhe mbi bazën e cilave kritere janë bërë këto 90 punësime, në një proces kaq jotransparent.
Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe u dorëzua në Kuvend më 8 maj.
Gjatë shqyrtimit në Kuvend, opozita kërkoi që ligji të përmbajë kuota etnike dhe masa ndëshkuese për institucionet që nuk e zbatojnë atë. Në qershor, partitë opozitare dorëzuan 31 amendamente, ndërsa Lidhja Shqiptare paraqiti edhe një propozim-ligj të veçantë. Më 4 qershor, Komisioni për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Kuvend vendosi që propozim-ligji i Qeverisë të kalojë me shumicë të dyfishtë të thjeshtë, të njohur si “Badenteri i vogël”. Ndërkaq, më 16 korrik, propozim-ligji nuk u vu në votim në seancën plenare dhe procedura mbeti pa epilog.
Momentalisht Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat vazhdon të jetë i bllokuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë i bllokuar në Kuvend: Sali kërkon mbështetje, Dauti e fton në debat
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë nuk u vendos në votim, opozita vijoi me akuza
- LEXO: Me cilin Badenter (nuk) duhet të miratohet Ligji për përfaqësim të drejtë?
- LEXO: Ligji i ri për përfaqësim të drejtë në RMV synon meritokracinë, lë “hapur” dritaren për diskriminim
- LEXO: BDI-ja dhe VLEN-i u përplasën për Ligjin për përfaqësim të drejtë