Nën moton ‘Përvetësimi i dinjitetit’ (Claiming dignity), edicioni i tretë i Forumit Studentor nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) bëri bashkë në Shkup të rinjtë, studentët dhe aktivistët nga Ballkani Perëndimor, të cilët ngritën çështjet aktuale të cilat prekin drejtpërdrejt ata, dhe më e rëndësishmja, si ti adresojnë ato, shkruan Portalb.mk.
Këtë vit, Forumi Studentor erdhi me program dhe aktivitete të reja.
Blendi Hodai, udhëheqësi i FNA-së theksoi se dinjiteti është e vërteta e thjeshtë dhe e panegociueshme se askush nuk duhet të përkulet për t’u dëgjuar apo të heshtet.
“Kur po përgatiteshim për këtë Forum, fillimisht menduam ta quanim “Rikthimi i dinjitetit”, por u ngrit një pyetje thelbësore: a mund ta rikthesh diçka që nuk e ke pasur kurrë vërtetë? Por kur e pamë realitetin tonë, kuptuam se për shumë të rinj, dinjiteti nuk u është dhënë kurrë plotësisht. Ai është vënë në pikëpyetje, ka qenë i kushtëzuar dhe shpesh i mohuar. Dhe pikërisht për këtë arsye nuk jemi këtu për ta rikthyer dinjitetin, jemi këtu për ta kërkuar, për ta përkufizuar, për ta kërkuar me ngulm dhe për ta mbrojtur, tha Hodai.
Gjatë një diskutimi për gjendjen në vendet e Ballkanit Perëndimor, pesë aktivistë nga rajoni diskutuan mbi gjendjen e studentëve, të drejtat, sfidat dhe mënyrën se si ata mund të ngrisin zërin e tyre, dhe më e rëndësishmja se si ky zë të dëgjohet.
Nikolla Maletiç nga Serbia duke folur për protestat studentore në Serbi, ai tha se ata po e përvetësojnë dinjitetin.
“Njerëzit në Serbi nuk ju besojnë liderëve, kjo ishte e mirë se ne nuk kishim një lider, e krijuam së bashku. Është hera e parë që shohim se të rinjtë po përfshihen në një proces”, tha Maletiç.
Emina Musija nga Bosnja dhe Hercegovina, duke folur për situatën në vendin e saj, tha se si dikush që punon me të rinjtë, ata nuk kanë shumë besim se protestat mund të bëjnë ndryshime të mëdha, kjo për shkak të sistemit.
Nga Shqipëria, Migen Qiraxhi, duke folur mbi protestat studentore në Shqipëri, tha se protestat mund të bëjnë ndryshime.
“Mundohemi t’i angazhojmë studentët. Nuk kemi gjithçka që duam, por me secilën protestë kemi arritur diçka”, tha Qiraxhi.
Dibran Hoxha nga Kosova, theksoi se duhet të merret vëmendja e njerëzve, veçanërisht e të rinjve për të adresuar mesazhet. Ai përmendi përvojën e tyre me ekspozimin e plagjiaturave.
“E ekspozuam plagjiaturën e profesorëve në Kosovë, përmes maskimit si ata…Pas marrjes së vëmendjes përmes kreativitetit dhe sarkazmës, e transmetuam mesazhin tonë”, tha mes tjerash Hoxha.
Kristina Jankoviç nga Mali i Zi, duke folur për sfidat e të rinjve në vendin e saj, përmendi se së shpejti do të anëtarësohen në BE, por ngriti pyetjen se a do të përsëritet skenari i Kroacisë kur shumë të rinj u larguan nga vendi për në vende më të zhvilluara të BE-së.
Gjatë një diskutimi interaktiv në formatin “fireside chat“, Vlladimir Martinovski -dekan i Fakultetit Filologjik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” dhe Viktorija Postolovska nga FNA diskutuan mbi gjuhën e arsimit të lartë shpesh paraqitet si neutrale, objektive dhe autoritative. Ata diskutuan se si gjuha akademike mund të përforcojë distancën mes profesorëve dhe studentëve, duke formësuar jo vetëm mënyrën se si ndahet dija, por edhe atë se kush ndihet i/e autorizuar të marrë pjesë në të. Çfarë do të thotë që studentët ta gjejnë zërin e tyre brenda sistemeve që shpesh privilegjojnë hierarkinë mbi dialogun, dhe si mund të bëhen shkrimi dhe komunikimi i përditshëm mjete për t’i rezistuar këtyre ndarjeve dhe për të kërkuar dinjitet në hapësirat akademike.
Në po të njëjtin format, Vlora Reçica nga Fondacioni Shoqëri e Hapur dhe Guxim Nuhiu, diskutuan mbi situatën e të rinjve në Ballkanin Perëndimor. Kjo bisedë hodhi dritë me gënjeshtrën më komode të brezave të rinj: se ndryshimi është diçka që na ndodh neve, e jo diçka që ne e krijojmë vetë.
Të rinjtë gjatë ditës patën mundësi të marrin pjesë në një nga tre punëtoritë: IA në meny – edukimi, studentët dhe algoritmet; Tërheqja e vëmendjes nga mediat: Si t’i tregojmë storjet për tu dëgjuar; Varësia nga dopamina dhe mirëqenia digjitale.
Për herë të parë u shfaq ekspozita “Resistance”, me intervista të realizuara nga Ardit Ramadani me 11 aktivistëve nga i gjithë rajoni që kanë bërë punë kreative guerile për ndryshim.
Gjatë forumit u promovua edhe doracaku i përmbledhur nga Ardit Ramadani me 22 kolumna të shkruara për FNA-në, të gjitha me fokus në ndryshimet në arsim dhe të rinjtë.
Edhe këtë vit, si vitet e kaluara u miratua rezoluta studentore.
Forumi Studentor i këtij viti u mbajt në CoWork21, hyrja ishte e hapur dhe falas për të gjithë.
Kujtojmë që edicioni i parë i Forumit Studentor u mbajt në mars 2024 ndërsa edicioni i dytë në maj 2025.