Studentët e Maqedonisë ndërvite shkojnë në Gjermani jo për të përballuar lukse, por që të arrijnë të paguajnë semestrin të cilit çdo vit i shtohet nga një taksë e re, librat me çmime marramendëse, pasi pa to nuk ka notë, dhe ushqimin shpesh të kontaminuar të byfeve universitare, pasi me shujtën prej 140 denarëve as një gjevrek nuk blihet. Kështu kanë reaguar sot nga Forumi për Ndryshime në Arsim ndaj njoftimeve të Drejtorisë për të Ardhura Publike të cilët kërkojnë nga studentët që kanë punuar jashtë vendit të paguajnë tatime, raporton Portalb.mk.
Nga FNA thonë se përkundër mundësive të shumta për të qëndruar, ata çdo vit vendosin të kthehen dhe paratë e fituara me djersë i shpenzojnë në shtetin e tyre, ndërsa shteti nga ana tjetër, këtë vit si asnjëherë më parë, javë e muaj pasi ata ishin kthyer dhe me shumë gjasa i kishin shpenzuar paratë, u kujtua të nxjerrë nga sirtari ca fatura dhe t’ua dërgojë studentëve.
“Krejt kjo, pasi ca burra e gra në Drejtorinë e të Ardhurave Publike ishin mbledhur dhe me llupë kishin kërkuar mënyra për t’i tatuar studentët. Pas disa javësh hulumtim, kishin gjetur se ekzistonte diku në sirtare një ligj që kurrë nuk ishte zbatuar, i cili mund të shfrytëzohej për t’i tatuar studentët që kishin punuar në Gjermani për më pak se 183 ditë”, thonë nga FNA.
Sipas tyre, absurditeti qëndron te fakti se DAP-i ende nuk është i qartë se si do t’ua marrë paratë studentëve.
“Kryesorja e di që do ta bëjë. Studentët deri tani kanë marrë tre versione: disave u thuhet se nuk kanë asnjë borxh, disave se duhet të paguajnë vetëm tatimin e kthyer nga Gjermania, ndërsa të tjerëve u kërkohet pagesë mbi të gjitha të ardhurat bruto”, thonë nga FNA.
Ata thonë se për pjesën më të madhe të studentëve ky nuk ka qenë sezoni i parë në Gjermani, por hera e parë që po përballen me këtë absurd.
“FNA-ja në këtë kontekst kujton parimin juridik të njohur si “legitimate expectations”, një parim themelor i të drejtës europiane që thotë se shteti nuk mund të zbatojë ligje me efekt retroaktiv pa njoftim paraprak. Me pak fjalë, nëse shteti ndër vite ka krijuar një praktikë të vazhdueshme moszbatimi, qytetarët kanë të drejtë të besojnë se ajo praktikë do të vazhdojë. Ndryshimi i papritur i praktikës pa njoftim paraprak është i paligjshëm”, thanë nga FNA.
FNA-ja i kërkon DAP-it të marrë parasysh edhe rrethanat faktike dhe të pezullojë kërkesat aktuale për pagesa, të krijojë një sistem transparent ku studentët informohen për të drejtat dhe obligimet e tyre. Ata kërkojnë gjithashtu që Ligji për të Ardhurat Personale të njohë kategorinë “student”, pasi aktualisht ligji i trajton ata si çdo tatimpagues tjetër mbi 18 vjeç.
Kujtojmë se studentët nga Maqedonisë së Veriut që kanë punuar punë sezonale në Gjermani këto ditë janë të revoltuar për shkak të detyrimeve të paplanifikuara tatimore, pasi kanë marrë njoftime nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) për të dorëzuar përllogaritje elektronike të tatimit mbi të ardhurat personale (E-TPA) dhe për t’i deklaruar të ardhurat e fituara jashtë vendit.
Edhe pse bëhet fjalë për një detyrim ligjor që, sipas institucioneve, ekziston prej vitesh, kjo gjë për ditë të tëra ka qenë diskutimi kryesor mes studentëve për shkak të informacioneve të ndryshme që ata i kanë marrë nga institucionet dhe për shkak të mosrealizimit të kësaj praktike në vitet e mëparshme.
Nga DAP shpjegojnë se nuk bëhet fjalë për një obligim të ri, por për zbatimin e ligjeve ekzistuese.
Nga atje theksojnë se paga që studentët e kanë realizuar në Gjermani konsiderohet si e ardhur e tatueshme në Maqedoni. Me këtë rast objekt i tatimit janë të ardhurat e përgjithshme, gjegjësisht shuma bruto e fitimit, e cila e përfshin pagën neto dhe tatimin që fillimisht ishte mbajtur në Gjermani, e që më vonë eventualisht u është kthyer studentëve.
„Përkatësisht, të ardhurat të cilat studentët-rezidentë tatimorë të Maqedonisë i kanë realizuar nga puna e përkohshme/sezonale në Gjermani (pagë e realizuar nga jashtë), paraqesin të ardhura të cilat i nënshtrohet tatimit në Maqedoni. Tatimit i nënshtrohen të ardhurat e përgjithshme, gjegjësisht paga bruto e realizuar me punë në Gjermani, që përfaqëson pagën neto të realizuar dhe tatimin që fillimisht është paguar në Gjermani (i mbajtur nga ana e paguesit), e që pastaj i është kthyer studentit nga ana e administratës tatimore të Gjermanisë“, thonë nga DAP.
Marrëveshja për shmangien e tatimit të dyfishtë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë parasheh rregulla për atë se ku duhet të tatohen të ardhurat.
Sipas DAP-it, nëse studentët kanë qëndruar në Gjermani më pak se 183 ditë (ose gjysmë viti) gjatë një viti, të ardhurat nga puna tatohen në Maqedoni. Në këto raste, sipas tyre, pikërisht për këtë arsye autoritetet gjermane kryejnë rimbursim të tatimit të mbajtur paraprakisht.
Pasi studentët ta marrin rimbursimin nga Gjermania, në Maqedoni tatimi konsiderohet i papaguar.“
Nëse qëndrimi ka qenë më i gjatë se 183 ditë, atëherë të ardhurat tatohen në Gjermani. Në një rast të tillë, tatimi i paguar në Gjermani mund të njihet si kredi tatimore nëse dorëzohet dokumentacioni përkatës. Por, është e rëndësishme të theksohet se të gjithë studentët që udhëtojnë përmes programit Work&Travel qëndrojnë dhe punojnë në shtete të tjera më pak se 183 ditë.
“Duke pasur parasysh se puna që studentët e kanë kryer në Gjermani është e karakterit të përkohshëm ose sezonal, nëse studentët kanë qëndruar në Gjermani për një periudhë që nuk i kalon 183 ditët brenda një periudhe prej dymbëdhjetë muajsh, periudhë e cila fillon ose mbaron në vitin përkatës fiskal, të ardhurat që studentët i kanë realizuar nga puna në Gjermani duhet t’i deklarojnë në DAP dhe ta paguajnë tatimin mbi të ardhurat personale. Pikërisht kjo është arsyeja se pse administrata tatimore e Gjermanisë bën kthimin e tatimit të paguar në Gjermani për studentët”, shpjegojnë nga DAP.
Sipas Drejtorisë, studentët duhet t’i deklarojnë të ardhurat përmes sistemit elektronik të shërbimeve tatimore të DAP-it, duke dorëzuar përllogaritjen elektronike më së voni deri në datën 10 të muajit për të ardhurat e realizuara në muajin paraprak.
„Në përllogaritje shuma e pagës nga jashtë paraqitet si Lloji i të ardhurave T1. Të ardhura nga puna dhe Nën-lloj i të ardhurave S1.2. – Paga të realizuara jashtë shtetit, me ç’rast si shtet në të cilin paguesi është rezident zgjidhet RP e Gjermanisë. Së bashku me përllogaritjen detyrimisht bashkëngjitet dëshmia për të ardhurat e realizuara jashtë shtetit, si për shembull përllogaritja-fleta e pagesës nga punëdhënësi/paguesi i pagës në Gjermani. Në rast kur tatimi është paguar në Gjermani (kur nuk është bërë rimbursimi i tatimit të paguar në Gjermani), krahas përllogaritjes nga punëdhënësi, detyrimisht dorëzohet edhe dëshmia për tatimin e paguar e lëshuar nga administrata tatimore e Gjermanisë,“ shpjegojnë nga DAP.
Pas reagimeve nga studentët pasuan reagime edhe nga shumë organizata studentore, mes të cilave Parlamenti Studentor Universitar i UKM-së, Parlamenti Studentor Universitar i Universitetit “Kliment Ohridski” – Manastir dhe Parlamenti Studentor Universitar UAE-FON, të cilët shprehën mbështetjen e tyre dhe kërkuan sqarime institucionale.
Ndryshe, tani e disa javë qytetarët të cilët kanë punuar jashtë vendit protestojnë kundër tatimeve që u kërkohen t’i paguajnë në Drejtorinë e të Ardhurave Publike për periudhën kur kanë punuar jashtë vendit. Qytetarët të cilët kanë punuar jashtë thonë se shumë prej tyre kanë qëndruar jashtë vendit mbi 183 ditë dhe sipas ligjit për tatimin personal duhet të trajtohen si jorezidentë tatimorë, por ky status nuk na njihet nga DAP.