Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, sot përmes letrës publike ka dhënë dorëheqje nga funksioni i tij në Qeveri. Ai tregoi se po largohet me “me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër”, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, një mision sa i rëndësishëm aq edhe jofalenderues”, deklaroi Fetai.
Ai vlerësoi se ka dhënë maksimumin gjatë kohës sa ka ushtruar këtë funksion, duke paralajmëruar se nuk do të ndalet edhe pas dorëheqjes nga funksioni, kudo ku ka nevojë.
“A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt. Por a kam punuar me përkushtimin maksimal për të vendosur themele të shëndosha mbi të cilat mund të ndërtohet më tej? Pa asnjë mëdyshje, po”, vlerësoi Fetai.
Arben Fetai ishte bërë test për “qeverisjen e mirë” pasi kryeministri Hristijan Mickoski akoma përgjigjet nëse zëvendëskryeministri përgjegjës për qeverisjen e mirë vjen në punë dhe nëse merr pagë, megjithëse sipas informacioneve të publikuara, ai nuk është paraqitur në punë për dy muaj.
- LEXO: Në mbledhjen e parë të Kuvendit Qendror, VLEN-i pritet të largojë dy funksionarë nga Qeveria
- LEXO: Kryeministri Mickoski refuzoi të përgjigjet nëse Arben Fetai merr rrogë edhe pse nuk shkon në punë