Faton Selami u betua si Avokat i Popullit: Duhen punësime, do të kërkoj shqiptimin e gjobave

Faton Selami sot u betua si Avokat i Popullit në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Ai para kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashit e dha deklaratën solemne.

“Duhet të punohet, që të ekipohemi në mënyrë kadrovike, pasi që institucioni punon me kapacitet prej 40% të administratës, duhet të ketë punësime të reja. Gjithashtu duhet të zgjidhen me Badenter në Parlament edhe zëvendësit e Avokatit të Popullit dhe do të duhet të kalohen në Parlament edhe Ndryshimet dhe Plotësimet e Ligjit për Avokatin e Popullit. Unë do të kërkoj që edhe gjoba të parashihen, në qoftë se nuk respektohen rekomandimet e Avokatit të Popullit, të mund të shqiptohen edhe gjoba”, tha Selami.

Selami pas shumë zvarritjeve u zgjodh nga Kuvendi i RMV-së më 23 janar në vendin e ish Avokatit të Popullit Naser Ziberi, i cili më 12 korrik 2025 e përfundoi mandatin për shkak të plotësimit të kushteve për pensionim.

Selami ka lindur në Tetovë dhe ka diplomuar për drejtësi në Universitetin e Tetovës ndërsa studimet master i ka përfunduar në Universitetin e Evropës Juglindore. Gjatë karrierës së tij profesionale ai ka punuar në Agjencinë për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik në zyrën e Avokatit të Popullit si dhe ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë. Që nga viti 2020 ai ishte angazhuar në njësinë rajonale të Ministrisë së Drejtësisë në Tetovë.

Përveç përvojës në administratë ai ka pasur edhe angazhime politike duke shërbyer si anëtar i Këshillit të Komunës së Tetovës nga radhët e partisë Alternativa. Selami ka dhënë gjithashtu provimin e jurisprudencës atë të noterisë si dhe është përkthyes gjyqësor i autorizuar për gjuhën angleze.

Mandati i Avokatit të Popullit zgjat tetë vjet, me mundësi edhe për një rizgjedhje, sipas Ligjit dhe procedurave të Kuvendit.

Avokati i PopullitFaton Selami