Atmosfera e “Eurovision 2026” ka nisur të ndihet edhe në Shkup. Ambasada e Austrisë në Maqedoninë e Veriut për nesër ka paralajmëruar organizimin e një mbrëmjeje speciale kushtuar festivalit evropian të muzikës, në prag të edicionit që këtë vit do të mbahet në Vjenë, transmeton Portalb.mk.
Në bashkëpunim me OGAE Macedonia dhe Roosty Skopje, ambasada do të organizojë aktivitetin “Eurovision Karaoke Night”, një event që synon të mbledhë fansat e Eurovisionit për një natë të mbushur me muzikë, argëtim dhe surpriza.
Mbrëmja do të zhvillohet nesër, më 13 maj në ambientet e “Roosty” në Shkup, duke nisur nga ora 19:30. Programi përfshin performanca me hitet më të njohura të Eurovisionit, një quiz interaktiv për festivalin, si dhe një garë karaoke ku pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të fitojnë çmime.
Eventi do të prezantohet nga ish-përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në Eurovision, Jana Burceska, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar edhe të ftuar specialë gjatë mbrëmjes.
Ky aktivitet vjen pas triumfit të Johannes JJ Pietsch, fituesit të Eurovisionit, që i dha Austrisë të drejtën për të organizuar edicionin e vitit 2026 në Vjenë. Organizatorët kanë ftuar qytetarët të marrin pjesë së bashku me miqtë e tyre për të festuar frymën e Eurovisionit dhe për të krijuar atmosferën e festivalit që tashmë ka nisur të pushtojë Evropën.