Eurointegrimi në ngërç: VMRO ‘kërcënoi’ me pritje me dekada, Kasami akuzon Brukselin se nuk na ka në prioritet, BDI e ‘tronditur’

Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet në vendnumëro në rrugën e saj eurointegruese. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Brukseli se ndryshimet kushtetuese mbeten kusht për hapje të negociatave dhe se vendi duhet ta shfrytëzojë këtë moment gjeopolitik të zgjerimit, Qeveria në Shkup e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, insiston se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese me kushtet aktuale dhe se vendi mund të presë me dekada. Bilall Kasami nga VLEN thotë se Brukseli nuk e ka fokusin e duhur për zgjerim. Ndërkaq opozita qëndrimet e fundit të pushtetit i quajti skandaloze dhe vazhdoi me akuzat se vendi po izolohet, shkruan Potalb.mk.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski vazhdon të insistojë se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese me kushtet aktuale, duke nënvizuar se nëse është e nevojshme vendi do të presë të kalojnë dekada të tjera.

Mickoski thotë se për momentin nuk e ka ndërmend të futet në ‘aventura’.

“Nëse është e nevojshme edhe ne do të presim dekada, por politikat që në mënyrë direkte ndikojnë në identitetin tonë, ndërsa nga ana tjetër nuk ofrojnë parashikueshmëri dhe fund të qartë të këtij procesi, unë e kam thënë dhe do ta përsëris, nuk e kam ndërmend, derisa unë jam kryeministër, me asnjë lloj çmimi, të futem në një aventurë të tillë. Ne mund të futemi në aventurë, nuk e injorojmë ‘elefantin’, elefantin e kemi në dhomë, e prunë ata të mëparshmit, por pa pasur një fund të qartë dhe pa e ditur çfarë fitojnë maqedonasit në Bullgari, pa pasur përfundime të qarta nga Këshilli Evropian, ne nuk do të futemi në asnjë aventurë që neve do të në çojë në kënetë politike”, tha Mickoski.

Pritja me dekada nuk është risi as për Bilall Kasamin, njërin nga liderët e VLEN-it në Qeveri. Ai thotë se vendi ka pritur me dekada derisa ka arritur deri në këtë nivel të integrimit drejt BE-së dhe sipas tij ekziston rreziku që të vazhdojë edhe më tej pritja. Ai gjatë një interviste në Alsat e pranoi se për të bërë ndryshimet kushtetuese fjalën e fundit e ka VMRO-ja.

“Ndryshimet kushtetuese patjetër që varen nga partia e cila ka mbi 40 deputetë, në këtë rast, kjo është VMRO, që ka mbi 40 deputetë, ndërsa ndryshimet kushtetuese kërkojnë dy të tretat, çdo parti e cila e plotëson këtë kusht për të bllokuar një proces të tillë mund të thotë se varen nga ajo”, tha Kasami.

Kasami mes tjerash tha se Brukseli nuk është edhe aq e fokusuar te zgjerimi me RMV-në.

“Sa i përket procesit eurointegrues, sigurisht që është një proces i dyanshëm që varet po aq nga Shkupi sa edhe nga Brukseli dhe është po ashtu fakt i pamohueshëm që deri tash jo vetëm për Maqedoninë or edhe për shumicën e vendeve të integruara nga blloku lindor në BE, më shumë ka qenë si vullnet i Brukselit dhe në disa raste edhe përkrahje e drejtpërdrejt e vendeve për t’i plotësuar apo për t’i tejkaluar problemet që të integrohen në BE se sa ka qenë interes i njëanshëm dhe ekskluziv nga vendet aplikante. Në këtë rast, BE-ja ka hallet e veta dhe sigurisht që nuk është edhe aq i fokusuar në procesin e integrimit të këtyre vendeve dhe po ballafaqohemi me probleme bilaterale të cilat nga marrëveshja e fundit janë edhe pjesë e procesit eurointegrues. Unë më shoh si një situatë ku Brukseli nuk e ka fokusin që do duhej të ketë që edhe këto vende të mbetura të jenë pjesë e BE-së se sa mosinteresim apo mosgatishmëri nga vendet aplikante”, tha Kasami.

Ndaj deklaratës së Kasamit kanë reaguar nga BDI. Bajram Rexhepi nga kjo parti thotë se qëndrimet e Kasamit për çështjet jetike të shtetit dëshmojnë qasjen thellësisht të papërgjegjshme, mediokre, shqetësuese dhe të rrezikshme ashtu siç dëshmojnë nënshtrimin dhe vasalitetin ndaj VMRO-DPMNE-ë.

“Është skandaloze dhe e turpshme që me bllokimin e procesit eurointegrues të RMV-së të fajësohet Bashkimi Evropian, duke treguar mosnjohje elementare të këtij procesi ndërsa pa fije turpi gënjyen qytetarët se pjesëmarrjen në qeveri do ta kushtëzojnë me ndryshimet kushtetuese. Dihet botërisht se Federata Ruse është e interesuar dhe po investon gjithçka që RMV-ja dhe shtetet tjera të rajonit mos të bëhen pjesë e BE-së. A është rastësi që qëndrimet e Bilall Kasamit të jenë në pajtueshmëri me interesat ruse në Ballkan”, tha Rexhepi.

Nga ana tjetër, Brukseli mbetet i vendosur: Nuk ka hapje të negociatave pa ndryshime kushtetuese. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadori francez në Shkup, Kristof Le Rigoler, tha se hapja e klasterëve në negociatat e Maqedonisë së Veriut me BE-në kushtëzohet nga ndryshimet kushtetuese, kusht të cilin e ka pranuar vetë vendi.

Përkundër se Kasami thotë se Brukseli nuk është i fokusuar në zgjerim, ambasadori tha se sot ndodhemi në një kontekst që ndoshta është historik, ku nga njëra anë kemi institucione evropiane, shtete anëtare që janë lehtësisht të prirura politikisht për zgjerimin e BE-së.

“E kemi thënë, e kemi përsëritur dhe do ta përsërisim se kuadri negociator nuk do të ndryshohet sepse e kemi, ai është pranuar nga të gjithë dhe sot brenda këtyre kornizave procesi eurointegrativ i Maqedonisë duhet të zhvillohet, dhe ai kalon përmes miratimit të kuadrit kushtetues”, tha Le Rigoler.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet. 

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Bashkimi Evropian (BE)Bilall KasamiEurointegrime Negociata RMV-BEHristijan Mickoski HristianVideo Lajme